Porto Romano, investime për rritjen e kapaciteteve përpunuese në port

TIRANË, 12 prill/ATSH/- Qeveri shqiptare miratoi disa ndryshime në kontratën e koncesionit të formës “BOT”, të portit në Porto Romano, Durrës, në thelb të të cilave është përmirësimi i ofrimit të shërbimit dhe rritja e masave për parandalimin e ndotjeve gjatë operacioneve të ngarkim-shkarkimit.

Në Kuvend ka mbërritur p/ligji sipas të cilit, shoqëria “Porti MBM” ka paraqitur kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për ndryshime në kontratën koncesionare, që parashikojnë krijimin e kushteve nga autoriteti kontraktor që koncesionari të shfrytëzojë maksimalisht kapacitetet e portit.

Sipas relacionit të p/ligjit, ndryshimet nuk do të kenë efekte financiare për buxhetin e shtetit, përkundrazi ndryshimet do të ndikojnë në rritjen e të ardhurave që do të depozitohen nga shoqëria koncesionare në buxhetin e shtetit nëpërmjet fee-së koncesionare.

Ndryshimet e propozuara nuk kanë si qëllim ndryshimin e kushteve të tjera thelbësore të kontratës koncensionare.
Objektivat që synohet të arrihen nëpërmjet këtij projektligji janë përmirësimi i ofrimit të shërbimeve nga koncesionari në zbatim të kontratës koncesionare të , marrja e masave për parandalimin e ndotjeve detare gjatë operacioneve të ngarkim-shkarkimit të mjeteve lundruese, për operimin e sigurt të mjeteve lundruese brenda territorit të portit, si dhe rritjen e të ardhurave që do të depozitohen në buxhetin e shtetit nëpërmjet mbledhjes së tarifës së fee-së koncesionare.

Në shkresën e shoqërisë koncesionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)”, kërkohet që duke qenë se aktualisht “Porti MBM” ka kapacitete të mjaftueshme të akuatoriumit dhe akostuese si në terminalin verior, ku përpunohen mjetet lundruese që transportojnë hidrokarbure, ashtu edhe në argjinaturën jugore, shoqëria koncesionare kërkoi nga autoriteti kontraktor që në argjinaturën jugore të përpunojë mjete lundruese që transportojnë mallra.

Kjo do të sillte shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve të portit dhe do të ofronte një shërbim më të specializuar për klientët, më të pastër dhe me kosto më të ulët./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.