FOTO/ Masat ndaj COVID-19, situata në këto 4 qytete

TIRANË, 12 prill/ATSH/ Në Elbasan, Cerrik, Belsh dhe Peqin masat e ndërmarra nga qeveria për kufizimin e lëvizjes po zbatohen me rigorozitet.

Prefekti i qarkut të Elbasanit zhvilloi paraditen e 12 prillit inspektime në këto qytete, për të cilat tha se masat po respektohen nga banorët e secilit qytet.

“Me një inspektim që zhvillova sot në Elbasan, Cërrik, Belsh dhe Peqin konstatova se masat e ndërmarra nga qeveria për kufizimin e lëvizjeve po zbatohen më së miri. Në Elbasan struktura e shërbimeve të bashkisë po punon për marrjen e masave të kërkuara në tregjet e fruta- perimeve. Në fshatra vërehej lëvizje e rrallë e njerëzve që kryesisht merreshin me punët e stinës në tokat e tyre. Shërbimet e policisë dhe zjarrfikësve ishin në kryerje të detyrës. Gjendja dukej e mirë”, tha Malaj për ATSH-në.

Në kuadër të situatës së krijuar prej COVID-19, qeveria çdo fundjavë mbyll lëvizjen e qytetarëve dhe të gjitha bizneset qëndrojnë të mbyllura deri mëngjesin e së hënës.

z.tosku//a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.