“Shqipëria nga shtëpia”/ Ftesë për një udhëtim të pazakontë virtual me foto nga Shqipëria turistike

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Le të sfidojmë këtë kohë të vështirë me një udhëtim të pazakontë virtual: “Shqipëria nga shtëpia”, duke u bërë në këtë mënyrë një zinxhir i gjatë dhe i bukur fotosh e dëshmish të Shqipërisë Turistike.

Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi ka prezantuar sfidën më të re ku i fton të gjithë të ndajnë me njëri-tjetrin virtualisht, eksplorimet më të mrekullueshme shqiptare, për të parë çfarë na ka mbetur akoma pa u njohur e krenuar me Tokën e Shqiponjave. Edhe pse sot, sipas saj, nuk dalim dot nga pragu i shtëpisë, kjo nuk na pengon të njohim më mirë vendin tonë.

“Sot që pragjet e shtëpive nuk mund dhe nuk duhet t’i shkelim, sot që jemi të detyruar të distancohemi nga njëri-tjetri, e përveç rutinës së dikurshme, duhet të heqim dorë gjithashtu edhe nga adrenalina e zbulimit të natyrës dhe të botës, sot që turizmi mban frymën mbi axhenda të ngrira udhëtimesh, le të sfidojmë këtë kohë të vështirë, me një udhëtim të pazakontë virtual, “Shqipëria nga shtëpia”.
Le të bëhemi një zinxhir i gjatë dhe bukur fotosh e dëshmish të Shqipërisë turistike! Le t’i rrëfejmë njëri-tjetrit, eksplorimet më të mrekullueshme shqiptare, për të parë çfarë na ka mbetur akoma pa u njohur e krenuar me Tokën e Shqiponjave. Le t’u tregojmë vendin tonë miliona turistëve që nuk mund të jenë këtë pranverë këtu, siç e kishin planifikuar. Le t’ua tregojmë si duket Shqipëria nga shtëpia që kur e gjithë kjo luftë të marrë fund, ata të vijnë edhe më shumë”, – thotë Çuçi.

Për t’iu bashkuar kësaj sfide, mjafton të hedhësh një foto nga Shqipëria me
hashtagun #albaniafromhome #staytodayinhome #travetomorroë’.

“Nomino miqtë e tu që të bëhen pjesë e këtij udhëtimi që përmbledh traditën, natyrën, historinë, kulturën, mikpritjen dhe shpirtin tonë! Jeni të gjithë të nominuar miq”, – përfundon zv/ministrja. Z.tosku/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.