Lufta ndaj COVID-19/ Videomesazhi i vogëlushëve për bluzat e bardha dhe efektivët e policisë

TIRANË, 11 prill/ATSH-A. Fortuzi/ Policia e Shtetit publikon videomesazhin e një grupi fëmijësh që jetojnë në Shqipëri dhe jo vetëm, të cilët kanë falënderuar bluzat e bardha, si dhe Policinë e Shtetit për kontributin që po japin në kuadër të betejës ndaj COVID-19.

“Faleminderit vogëlushëve për mesazhet kuptimplotë”,- thekson Policia e Shtetit

“Një grup fëmijësh që jetojnë në Shqipëri, një vajzë që jeton në Gjermani dhe një fëmijë që jeton në Kosovë kanë realizuar këtë video falënderuese për të gjithë ata që në këtë situatë të vështirë duhet të jenë në punë, pavarësisht rrezikut”, bën me dije Policia e Shtetit.

“Mesazhet e këtyre vogëlushëve janë inkurajim se nesër do jetë më mirë se sot dhe duke bërë durim, bashkërisht do ia dalim e përsëri do ketë jetë e gëzim për të gjithë”, përfundon Policia.

Në mesazhet e tyre, fëmijët shprehin vlerësimin e tyre për punën e mjekëve, infermierëve dhe efektivëve të policisë, të cilët nuk qëndrojnë në shtëpi me familjet e tyre, por janë vijën e parë të betejës ndaj COVID-19.

“Në këto kohë kaq të vështira për të gjithë botën dhe Shqipërinë, ne fëmijët duam të themi faleminderit”, – thekson një vogëlushe.

“Faleminderit mjekëve dhe infermierëve tanë të mrekullueshëm për punën e tyre të palodhur dhe ata janë njerëzit që janë kaq pranë rrezikut, si askush tjetër. Janë të pazëvendësueshëm, faleminderit!” – thekson një vogëlushe tjetër.

“Faleminderit Policia e Shtetit që ndodhet jashtë duke ruajtur rendin dhe sigurinë në këtë situatë të jashtëzakonshme”, – vijon një vogëlush.

“Faleminderit, se ju jeni jashtë, ndërsa ne jemi në shtëpi në këtë kohë të vështirë, faleminderit”, – tha vogëlushja tjetër. Një vogëlushe tjetër falënderon punonjësit, të cilët edhe ata janë në krye të detyrës.  /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.