Kosovë/Komuna Ferizaj, 18 persona me COVID-19

 

PRISHTINE, 11 prill ATSH/ -Në komunën e Ferizajt dje 18 persona kanë rezultuar të infektuar me virusin COVID-19. Kryetari kësaj komune tha se po bëjnë çdo gjë për ta mbajtur situatën nën kontroll, ndërkohë theksoi se QKMF-të nuk janë mjaftueshëm të pajisura me materiale shëndetësore.

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu konsideron se janë marrë masat e nevojshme si nivel lokal, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Megjithatë, sipas tij, nuk është e mjaftueshme kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në orar të caktuar.

“Nuk është e mjaftueshme vetëm të hidhen shiritat për ndalim, sepse qytetarët po i kalojnë ato dhe po frekuentojnë nëpër sheshe. Pra, i gjithë fokusi jonë duhet të jetë se çfarë të bëjmë me kohën kur është lëvizja e lirë sepse ajo është duke cenuar sigurinë e shëndetit publik dhe mund të shndërrohet në një mundësi më shumë për përhapjen e COVID-19”, tha Aliu.

Tashmë ai thekson se kanë marrë vendim që asnjë shërbim në administratën komunale të mos bëhet pa masa mbrojtëse. Ndër të tjera, ai tha për KosovaPress, se QKMF-të në Ferizaj nuk janë mjaftueshëm të pajisura me materiale shëndetësore.

“Vazhdueshëm kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi kërkesa nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, qoftë nga spitali regjional se janë të pamjaftueshme materialet, respektivisht masat që ata i kërkojnë. Po presim që qeveria të ndajë më shumë kontingjente për të gjitha komunat përfshirë edhe komunën e Ferizajt. Në mënyrë që të jetë më mbështetëse ndaj atyre që janë duke bërë luftën, dhe atyre që në fakt ne duhet t’i mbrojmë sepse pa ata ne nuk mund të bëjmë luftën për ata që janë të infektuar”, shton Aliu.

Ai foli edhe për personin që ka humbur jetën në regjionin e Ferizajt.

“Një që fatkeqësisht ka humbur jetën, por në fakt pas vdekjes është konstatuar që është pozitiv me COVID-19. Sepse ai ka shkuar për çështje tjetër dhe ka pasur simptoma krejtësisht të tjera klinike. Por, pas vdekjes janë marrë masat dhe ka rezultuar pozitiv”, theksoi kryetari i komunës së Ferizajt.

Agim Aliu tha se po bëhet një numër i vogël i testimeve në nivel vendi, por edhe në Ferizaj.

“Kemi kërkuar nga institucionet qendrore dhe ditëve të kaluara, që është kërkesë e të gjithëve tashmë, që të ketë sa më shumë teste…..ne shpesh, qytetarët që shfaqin simptoma të caktuara që janë të ngjashme me ato të COVID-19, kur lajmërohen institucionet qendrore për të bërë testet, ata refuzojnë”, deklaroi Aliu.

Marrë parasysh masat të marra, bizneset janë mbyllur, për këtë Aliu tha se komuna që ai udhëheq është më kontribut dhënësja për arkën e shtetit. Ai kërkoi që në seancën e cila do të mbahet në Kuvendin e Kosovës, pakoja fiskale të përkrahë më shumë komunitetin e bizneseve./KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.