COVID-19/ Spahia: Rritet numri i të prekurve në Shkodër, mungesë e vëmendjes institucionale

TIRANË, 11 prill /ATSH – I. Vata/ Ish-deputeti i PD-së Bardh Spahia tha sot se 3 të infektuar të rinj me COVID-19 në Shkodër, e një në Pukë e çuan në 53 numrin e të prekurve në qark, sipas shifrave zyrtare. Kjo, sipas tij, tregon se Shkodra nuk ka vëmendjen e qeverisë.

Spahia tha se “njëlloj si në shifrat totale, ato u rritën pasi u rrit numri i testimeve, çka tregon se situata në terren është tjetër nga shifrat e ofruara. Por Shkodra po tregon se sa pak vëmendje ka patur nga qeveria”.

“Pasi sulmoi kryetaren e bashkisë dhe qytetarët e Shkodrës për situatën me COVID-19, Rama e bëri një kurban nga radhët e veta, për t’ia hedhur përgjegjësinë, prefektin e Shkodrës”, tha ai.

Ai shtoi se “fakt është se kjo qasje ndaj Shkodrës ka sjellë mungesën e vëmendjes institucionale në këtë kohë sfiduese me virusin korona. Në fakt çdo funksionar vendor, i djathtë apo i majtë, çdo anëtar i personelit shëndetësor, e di mirë se çka qeveria u ka ofruar deri tani, ka qenë vetëm presioni për të mos folur, për të mos u ankuar për pajisjet e munguara mbrojtëse, për mungesën e testeve e madje edhe moszbatimin nga policia të detyrimit për karantinim të shtetasve të ardhur nga Italia”. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.