Shqiptarët e bllokuar jashtë kufijve/ Balluku: Po hartojmë plan të ri riatdhesimi

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se qeveria është duke hartuar një plan të ri për riatdhesimet e qytetarëve shqiptarë që kanë mbetur jashtë vendit për shkak të mbylljes së kufijve, si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Jemi duke dizenjuar një plan të ri për riatdhesimin, duke marrë parasysh të gjitha kërkesat që kanë mbërritur nga momenti që është mbyllur cikli i parë i riatdhesimeve për disa kategori të veçanta si studentët, ata që ishin në vështirësi, si dhe të sëmurë që gjendeshin jashtë për mjekim”, tha ministrja Balluku në një intervistë në media.

Ajo theksoi se referuar këtyre kërkesave, e shohim të nevojshme që të rihapet si cikël. Por, vuri në dukje Balluku, duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi duhet ruajtur e gjithë puna e mirë që është bërë nga qeveria dhe populli, i cili bashkëpunoi fort, duke respektuar masat për distancimin fizik.

“Do të na duhet të dizenjojmë një hartë të re veprimesh për të mos krijuar një valë të re infektimi”, tha ajo.

/a.gjonaj/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.