Kurti në Ferizaj, premton që edhe gazetarët do të përfshihen në pakon emergjente 

PRISHTINE, 10 prill /ATSH/ -Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me ministrin e Infrastrukturës dhe ministren e Pushtetit Lokal, vizituan komunën e Ferizajt, për t’u njohur me veprimet e ndërmarra, si dhe nevojat e komunës për menaxhimin e situatës me covid-19.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se masat duhet të vazhdohen në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë që lakorja e përhapjes së virusit të bie.

“Qeveria në detyrë ka aprovuar një masë shumë të rëndësishme në formën e një pakoje emergjente. Duhet të kujdesimi për ata të cilët janë më të varfër dhe për ata që punojnë, por edhe sa i përket bizneseve dhe pagave të punëtorëve. Kemi paraparë edhe ndihmat për komunat dhe gjithashtu për bujqësinë dhe kulturën e rininë e sportin. Në javët e muajit prill duhet të përqendrohemi maksimalisht në tri udhëzimet. Rrini në shtëpi, rrini në distancë, dhe rrini të pastër”, deklaroi Kurti.

Pavarësisht motit të mirë, shefi i ekzekutivit tha se qytetarët duhet të kenë durim dhe të qëndrojnë në shtëpi.

I pyetur se pse nuk janë përfshirë edhe gazetarët dhe fotoreporterët në pakon emergjente fiskale, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se pakoja emergjente është ciklike.

“Pakoja emergjente është ciklike. Pajtohem që duhet ta adresojmë në këtë çështje, në mënyrë që të shohim se edhe ata që nuk i kemi përfshirë, të përfshihen, si pastruesit, shoferët dhe gazetarët”, tha ai.

Kryetari i komunës së Ferizajt, tha se në këtë takim ka kërkuar nga kryeministri në detyrë që të përfshihen më fuqishëm në pakon fiskale, që të jenë në përkrahje jo vetëm të bizneseve.

”Ne konfirmuam atë do e bëjmë që në fund qytetarët të dalin ftues. Ne kemi marrë shumë masa dhe shumë vendime që kemi parë se përballja jonë të jetë më e suksesshme. Dhe do vazhdojmë të marrim masa shtesë deri në momentin kur konstatojmë që virusi ka ikur. Regjioni i Ferizajt është me më së paku raste me Covid-19. Dashtë Zoti që kjo ecuri të vazhdojë”, tha Aliu.

Ai bëri apel qytetarëve që të mbajnë distancë dhe të respektojnë masat e marra nga niveli qendror dhe lokal.

Kurti para Ferizajt, vizitoi edhe komunën e Lipjanit./KosovaPress/ /e.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.