Kosovë/MPB apelon për parandalimin e zjarrvënies

 

PRISHTINE, 10 prill /ATSH/ -Ministria e Punëve të Brendshme, me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes së jetës së qytetarëve, të pronës, shtazëve dhe ambientit, apelojmë që të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit.

MPB bën me dije se jemi duke hyrë në sezonin e verës që supozohet se do të karakterizohet me temperatura të larta të ajrit të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore.

“Me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes të jetës së qytetarëve, të pronës, shtazëve dhe ambientit, apelojmë që të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit. Informimin mund ta bëni në Qendrën Operative Emergjente, nëpërmjet numrit unik (integruar) emergjent – 112 (këtë numër emergjent – 112 mund ta thirrni dhe merrni, pa prefiks, nga cili do qoftë vend apo pozitë në Republikën e Kosovës). Gjithashtu mund të thirrni edhe në këta numra: Njësinë  profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në numrin e telefonit 193, Policinë e Kosovës, në numër të telefonit   192, Ndihmën e shpejtë, në numër të telefonit   194. Të gjitha thirrjet janë pa pagesë”, thuhet në njoftim, ku theksohet se zjarr-vëniet e qëllimta, si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia janë vepra penale dhe sanksionohen me ligj./KosovaPress/ /e.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.