Financim i përshpejtuar në luftën ndaj COVID-19/ Grupi i BEI-së 5,2 miliardë euro, përfitojnë edhe vendet jashtë BE-së

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Grupi i Bankës Europiane të Investimeve, bankë e Bashkimit Europian, njoftoi sot hollësira për një reagim gjithëpërfshirës ndaj pandemisë së koronavirusit jashtë BE-së, e cila do të japë deri në 5,2 miliardë euro në muajt e ardhshëm.

Ky financim është pjesë e reagimit së Ekipit të Europës dhe mbështetet me garanci nga buxheti i BE-së. Ai do të forcojë investimet emergjente në shëndetësi dhe do të përshpejtojë mbështetjen e gjatë për investimet në sektorin privat që pasqyron nevoja për financim në më shumë se 100 vende të botës.

Ndihma e menjëhershme me procedurë të përshpejtuar do të ndihmojë në ruajtjen e vendeve të punës dhe mjeteve financiare të sektorëve më të kërcënuar nga ndikimi ekonomik dhe social prej koronavirusit, dhe do të pasohet nga financim shtesë afatgjatë në shëndetësi dhe biznes, sipas nevojës.

“Pandemia e COVID-19 tashmë po godet shumë vende dhe do të sjellë pasoja të thella ekonomike në të gjithë botën. Shumë njerëz do të humbasin punën dhe mjetet e tyre të jetesës. Kjo krizë do të shkatërrojë rrjetet sipërmarrëse dhe do të përkeqësojë shqetësimet ekzistuese të borxhit veçanërisht në vendet e prekura. Ne duhet të tregojmë urgjentisht se Evropa është aty për partnerët tanë kur ata kanë nevojë. Si pjesë e Ekipit të Evropës, në javët e ardhshme, Banka e BE-së do të identifikojë dhe mbështesë investimet e reja në shëndetësi dhe biznes jashtë Bashkimit Evropian. Ne do të punojmë në partneritet të ngushtë me Komisionin Evropian, vendet anëtare të BE-së, institucionet evropiane financuese të zhvillimit dhe institucionet e tjera shumëpalëshe financiare për të siguruar qasje më të mirë në financa për partnerët publikë dhe privat, e cila është thelbësore për të përballuar tronditjen nga pandemia”, tha Werner Hoyer, President i Bankës Evropiane të Investimeve.

Nënpresidenti i BEI-së Dario Scannapieco u shpreh se, “me pandeminë COVID-19, bota përballet me një sfidë të paprecedentë ekonomike. Si pjesë e përpjekjes së gjerë të Ekipit të Evropës për t’u përfshirë drejtpërsëdrejti në këtë krizë, BEI-ja ka përgatitur një paketë mbështetëse të menjëhershme për NVM-të në Ballkanin Perëndimor dhe sektorin e kujdesit shëndetësor për të ndihmuar në shpëtimin e jetës, vendeve të punës dhe pagave të njerëzve në rajon. Shkalla e paparë e krizës bën thirrje për unitet dhe solidaritet paneuropiane, dhe BEI-ja është krenare të kontribuojë në reagimin e BE-së me një mbështetje të prekshme për zbutjen e efekteve ekonomike të COVID-19 në Ballkanin Perëndimor.

Reagimi për nevojat e menjëhershme dhe afatmesme në 100 vende

Ditët e fundit, BEI-ja ka qenë në kontakt me klientë të sektorit publik dhe privat në më shumë se 100 vende, ku ato veprojnë, jashtë Evropës, për të përcaktuar qasjen më efektive për të rritur gatishmërinë e shëndetit publik dhe qëndrueshmërinë e biznesit, si pjesë e mbështetjes së gjatë të BEI-së për rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në mbarë botën.

Ky reagim i shpejtë do të përshtatet për të pasqyruar nevojat specifike të sektorit dhe sfidat e reja vendore pasi ndikimi i koronavirusit vazhdon të rritet. BEI-ja gjithashtu do të ofrojë asistencë teknike dhe ekspertizë sektoriale për të forcuar dhe rritur ndikimin e investimeve të reja.

Përshpejtimi i mbështetjes për investime në shëndetësi dhe biznes dhe forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit privat ndaj ndikimit ekonomik dhe social të koronavirusit

BEI-ja qëndron e gatshme të përshpejtojë rreth një miliard euro disbursime për kreditë ekzistuese të miratuara, për të ndihmuar sektorin e shëndetësisë në vendet jashtë BE-së që të përballen me pandeminë e koronavirusit, si dhe për të siguruar që veprimtaria e biznesit të mund të ketë qasje në financimin e menjëhershëm për të luftuar sfidat e hyrje-daljeve dhe likuiditetit.

Mbështetja e menjëhershme për klientët e vjetër global të sektorit të shëndetësisë do të përfshijë mbështetje për përpjekjet e reja në kuadër të shëndetit publik, duke i ndihmuar klientët që të përqendrojnë sërish operacionet ekzistuese në trajtimin e krizës shëndetësore dhe duke përshpejtuar shpërndarjen e projekteve të miratuara të sektorit privat dhe publik.

Mbështetja e përforcuar për sektorin shëndetësor do të përfitojë nga përvoja teknike dhe ekspertiza financiare unike e BEI-së, e fituar nga investimi i më shumë se 30 miliardë euro në nisma spitalore, të kujdesit shëndetësor dhe shëndetësore në të gjithë Evropën dhe në mbarë botën vitet e fundit.

Identifikimi i shpejtë i projekteve parësore do të përmirësohet më tej nga bashkëpunimi i ngushtë ekzistues i BEI-së me ministritë e shëndetësisë dhe partnerët e sektorit të shëndetësisë jashtë Evropës.

Reagimi i BEI-së do të mbështesë gjithashtu rritjen e qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përfshirë këtu përshkallëzimin e linjave ekzistuese të kredisë, të menaxhuara nga bankat vendore në të gjithë botën.

Reagimi i menjëhershëm do të përqendrohet në mbështetjen e kompanive në sektorët më të prekur nga pandemia e koronavirusit, ku kapaciteti prodhues është më i ekspozuar.

Kjo do të ndihmojë gjithashtu për të forcuar rolin kryesor të bankave vendore dhe institucioneve financiare, përfshirë partnerët këtu mikrofinanciar, njohuritë vendore të të cilëve do të jenë thelbësore për të siguruar një reagim të suksesshëm afatgjatë.

Korporatat vendore dhe ndërkombëtare, NVM-të, fermerët dhe sipërmarrësit në të gjithë botën do të përfitojnë nga reagimi i BEI-së për sektorin privat.

Sigurimi që qeveritë të mund të reagojnë më mirë ndaj ndikimit të virusit

Investimet në sektorin publik në mbarë botën priten të sfidohen dhe kufizohen në mënyrë të konsiderueshme si rezultat i koronavirusit.

BEI-ja do të punojë me partnerë të sektorit publik për të rritur financimin koncesionar të disponueshëm si për investimet në shëndetësi ashtu edhe për investimet në biznes. Kjo do të përfshijë mbështetje për shërbimet publike, përfshirë shëndetësinë, tregtinë rajonale dhe sektorët tepër të prekshëm si turizmi dhe mikpritja.

Financimi me procedurë të përshpejtuar do të mundësohet për vendet ku BEI-ja tashmë operon. Nisma është projektuar në mënyrë që financimi i BEI-së të mund të arrijë mbështetje shtesë nga partnerët ndërkombëtarë dhe evropianë financues të zhvillimit.

Banka Europiane e Investimeve (BEI) është institucioni i huadhënies afatgjatë i Bashkimit Europian dhe është në pronësi të Shteteve të saj Anëtare. Ajo mundëson financime afatgjata për investime të shëndosha për të kontribuar në drejtim të objektivave të politikës së BE-së.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.