COVID-19 – Turqia kapërcen pragun e 1000 të vdekurve nga pandemia

ANKARA, 10 prill /ATSH-AFP/- Turqia kaloi sot pragun e 1 000 të vdekurve nga pandemia e koronavirusit të ri, me 98 vdekje të reja, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca.

“Epidemia ka vrarë gjithsej 1 006 persona, në 47 029 raste të raportuara në Turqi”, tha ministri Koca, në një konferencë për shtyp.

Sipas tij, 2 423 pacientë me COVID-19 të shtruar në spital janë shëruar.

Koca tha se më shumë se 307 000 teste depistimi janë kryer deri më tani në Turqi, ku shkalla e vdekshmërisë së personave me virus arrin në 2,15 %.

Turqia është përballur me një përshpejtim të pandemisë për disa ditë, me më shumë se 3 000 raste infektimi të reja të shpallura çdo ditë që nga 4 prilli.

Përballë kësaj situate, presidenti Reccep Tayip Erdogan ka rritur masat: shkollat, baret dhe hapësirat kulturore janë mbyllur, fluturimet janë pezulluar dhe lëvizja është e kufizuar.

Për momentin, vetëm njerëzit mbi 65 vjeç, nën 20 vjeç ose që vuajnë nga sëmundje kronike nuk lejohen të dalin, madje edhe të bëjnë blerjet e tyre./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.