Vijon operacioni “High Quality”, në pranga dy persona

TIRANË, 9 prill/ATSH- A. Fortuzi/-Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin “Hygh Quaility”, ku janë vendosur në pranga dy shtetas, të dyshuar për shpërndarje të drogave të forta, duke e çuar numrin total të të ndaluarve në pesë.

Në një njoftim për mediet, ditën e enjte, Policia e Durrësit njoftoi se gjatë operacionit, u sekuestruan edhe 126 doza me lëndë narkotike kokainë, 1 automjet, 3 telefona celularë dhe 1 peshore elektronike.

“Në vijim të operacionit “HIGH QUALITY”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, në kuadër të të cilit u sekuestrua 0.5 kg lëndë narkotike e llojit heroinë dhe kokainë, si dhe një sasi e konsiderueshme parash, e përfituar nga shitja e lëndës narkotike dhe u vunë në pranga 3 shtetas (organizatori, shpërndarësi dhe bashkëpunëtorja e shpërndarësit të lëndës narkotike), operacioni ka vijuar për evidentimin dhe goditjen e personave të tjerë që ushtrojnë këtë veprimtari kriminale”,- njofton Policia.

“Si rezultat i vijimit të operacionit të ndjekur me metoda proaktive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, kanë evidentuar dhe goditur një tjetër rast, duke vënë në pranga dy shtetas: D. M., 32 vjeç dhe L. M., 57 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Moskallëzim krimi””,- sqaron Policia.

“Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. M., në lagjen nr. 14, Durrës, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 124 doza me lëndë narkotike kokainë dhe një peshore elektronike, ndërsa gjatë kontrollit të shtetasit L. M., në automjetin tip “Benz”, u gjetën dhe sekuestruan 2 doza kokainë, në total 63 gramë kokainë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””,- përfundon njoftimi i Policisë. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.