STRASBURG – KiE: Greqia të reformojë urgjent burgjet dhe t’i japë fund dhunës policore

STRASBURG, 9 prill /ATSH-AFP/ – Një praktikë e vazhdueshme e keqtrajtimeve policore, kushtet e paraburgimit që përbëjnë shpesh një shkelje të dinjitetit njerëzor, Komiteti për Parandalimin e Torturave (CPT) i Këshillit të Europës i kërkoi Greqisë të reagojë në mënyrë urgjente.

Në një raport të publikuar sot, Komiteti për Parandalimin e Torturave dhe dënimeve apo keqtrajtimeve njerëzore (CPT) i Këshillit të Europës i tërheq vemendjen Athinës dhe i kërkon që të korrigjojë problemet strukturore që kanë shkaktuar veçanërisht keqtrajtimin e vazhdueshëm të të ndaluarve, mbipopullimin në burgje dhe mungesat e personelit.

CPT pranon se disa përmirësime janë bërë që nga vizita e saj e fundit në 2015, por ka konstatuar ekzistencën e shumë problemeve themelore.

Përballë keqtrajtimeve të policisë, që mbeten një praktikë e zakonshme në të gjithë Greqinë, raporti u bën thirrje autoriteteve të krijojnë një sistem efektiv hetimi për këto akuza dhe t’i ndëshkojnë ato.

“Mbipopullimi i burgjeve me nivele okupimi që arrin në 140% në dy burgje, mangësi serioze në kujdesin mjekësor, rritje e nivelit të dhunës dhe intimidimi në rritje mes të burgosurve, ndonjëherë nën ndikimin e bandave të jashtme përbëjnë një shkelje të dinjitetit njerëzor “, thekson CPT.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.