VARSHAVË, 9 prill /ATSH-DPA/ – Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda favorizon zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale vetëm me votim me anë të postës, pasi forcat politike në vend janë të ndara përsa i përket kësaj çështjeje, e rënduar edhe për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Kushtetuta nuk parashikon një situatë në të cilën zgjedhjet presidenciale nuk zhvillohen, ndërkohë që mandati i presidentit ka skaduar”, i tha Duda radios ”Jedynka”.
”Një votim postar siç është ai i mbajtur së fundmi në shtetin gjerman të Bavarisë mund të jetë një zgjidhje. Ato zgjedhje… u realizuan mirë. Pjesëmarrja ishte mjaft e lartë”, tha Duda, duke shtuar se epidemia e koronavirusit në Gjermani është më e keqe se në Poloni.
Në fund të marsit, Bavaria vendosi të zhvillojë raundin e dytë të zgjedhjeve lokale ekskluzivisht me vota postare. Nuk kishte vendvotime. Disa milion votues i hodhën votat me postë duke zgjedhur kryetarët e bashkive.
Të hënën në mbrëmje, Dhoma e Ulët e parlamentit polak miratoi një projektligj që paraqiti votimin me postë në mbarë vendin si mënyra e vetme për të votuar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, një veprim i protestuar ashpër nga opozita.
Polonia, ku mbi 30 milionë qytetarë kanë të drejtë të votojnë, deri më tani ka konfirmuar 5 205 raste me koronavirus dhe 159 vdekje./ a.jor.