Pasojat e COVID-19/ Bonus lufte edhe për bizneset e vogla që nuk janë mbyllur, po nuk kanë punë

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “në fillim të javës së ardhshme do të adresojmë një për një të gjitha kategoritë e bizneseve të vogla që nuk janë në paketën e parë të ndihmës financiare”.

Në një intervistë televizive, Kryeministri Rama theksoi se “kam dëgjuar sot me keqardhje që balona tabake e Partisë Demokratike është ngritur lart duke fryrë me një ajër budallëqesh veshët e sikur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka refuzuar shumë nga bizneset të cilëve u është premtuar se do u jepet paga e luftës. Kjo është e pavërtetë”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “aplikimet që po shqyrton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sot po që flasim janë aplikime që miratohen në bazë të paketës dhe thotë, të gjitha bizneset e vogla që janë mbyllur nga urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë si pasojë e rrezikshmërisë dhe njerëzit e punësuar në to që janë në shtëpi se nuk shkojnë dot në dyqan apo në njësinë e tyre tregtare do të mbështeten me këtë paketë më një pagë lufte për çdo njërin që është i regjistruar”.

“Kanë aplikuar shumë biznese të tjera, ajo shtesa që thoni ju rreth 15-16  mijë në mos pak më shumë është një numër biznesesh të tjera që nuk janë mbyllur me urdhër, si mobilieri të vogla, rrobaqepësi të vogla, servise makinash, fizioterapi, lavazhe të licencuara, agjenci turistike, hidraulikë, elektricistë, pra një numër biznesesh të vogla që ne nuk i kemi mbyllur, por de facto për shkak të karantinës dhe mungesës së lëvizjes janë faktikisht pa të ardhura. Këta nuk janë refuzuar në të drejtën e tyre për t’u ndihmuar nga ne, por janë refuzuar në këtë aplikim. Do të jenë të gjithë taksixhinjtë, punonjës të linjave urbane apo ndërurbane do të jenë objekti i paketës së zgjeruar. Të gjithëve u them bëni durim, sepse unë nuk premtoj mrekullira, as që në kohë lufte të jetoni në paqe, por gjithçka që unë them se do bëhet, do bëhet sikur qielli dhe toka të bashkohet, por bëni durim”, – sqaroi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “është e vërtetë që nëse i numërojmë këto biznese në bllok dhe marrim shumën e vënë në dispozicion janë më shumë biznese sesa shuma, por ata që janë plus nuk janë aplikantë të pranueshëm në këtë paketë”.

“Me paketën e zgjeruar të adresojmë drejtpërdrejt punonjësit që nuk punojnë dot, për shkak se janë pezulluar apo larguar nga kompanitë me një bonus lufte dhe kështu t’u japim kompanive mundësinë që t’i mbajnë të integruar”, u shpreh Rama.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.