COVID-19/ Çuçi: Rritje e eksporteve bujqësore në 3-mujorin e parë të vitit, korridori i gjelbër mbetet i hapur

TIRANË, 9 prill/ATSH- A. Fortuzi/-Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi theksoi se shifrat pozitive të rritjes së eksporteve në 3- mujorin e parë të 2020 janë meritë e politikave të qeverisë dhe nuk lidhen me situatën COVID-19.

Gjatë një interviste televizive, ministri Çuçi u shpreh se korridori i gjelbër, për transportin e mallrave, mbetet i hapur, pavarësisht situatës së krijuar nga koronavirusi i ri.

“E kemi pasur nën kontroll bujqësinë. Rezultatet në rritje nuk janë për shkak të COVID-19, por prej politikave që kemi ndjekur. Edhe po mos kishim COVID-19, do të kishim rritje të eksporteve. Ndoshta dhe në këto shifra por bujqësia është delikate. Çmimet e produkteve varen nga kushtet klimaterike, moti i paqëndrueshëm dhe jo nga politikat apo tregjet”,- theksoi Çuçi.

“Ne me politikat tona kemi ndjekur për një rritje të qëndrueshme për një treg 40- 60- 100 milionë banorë. Ne kemi forcuar serrat që prodhojnë produkte që kanë konkurrueshmëri në tregjet europiane dhe forcimi i grumbulluesve që gjejnë tregjet. Ne në Kosovë çojmë mesatarisht 11 maune, kemi çuar sot 16 maune ”- tha Çuçi.

Ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi theksoi se nuk ka probleme në Ballkanin Perëndimor sa i përket lëvizjes së mallrave, pavarësisht COVID-19.

“Për bujqësinë kemi qenë shumë të kujdeshëm, që transporti, përpunimi të mos ndërpritet asnjë sekondë. I bëmë të qartë fermerëve që këto kushte nuk janë për ata. Vetëm të respektojnë distancimin fizik. Na ka dhënë rezultat. Pritej një destabilitet i tregjeve sa i përket qarkullimit të mallrave sepse shumë biznese u mbyllën si supermarkete dhe lokale. Por ky konsumim ka shkuar në shtëpi dhe familje. Ata që frekuentojnë restorantet ka shkuar në shtëpitë e tyre. Kemi rezultate të kënaqshme të eksporteve në 3-mujorin e parë”, u shpreh ai.

“Një nga po themi përpjekjet tona ka qenë të krijojmë korridoret e gjelbëra, qoftë nëpërmjet marrëveshjeve CEFTA, qoftë me bashkëpunim në rang rajonal siç është forumi i ministrave të bujqësisë apo dhe me BE në mënyrë që produktet ushqimore dhe bujqësore mos kishin probleme me mbylljen e kufijve. Kemi pasur disa probleme në fillim kur ishte e paqartë kufizimi apo karantina e thellë”,- thekson Çuçi.

“Dje kam pasur një videokonferencë me ministrat e Ballkanit Perëndimor përfshi ministrin kroat dhe slloven për një perspektivë nga BE. Të gjithë kolegët dhanë të njëjtën panoramë. Nuk ka probleme as në vendet e tyre. Këto takimet janë për të mbajtur këto korridore të hapura. Çdo 10 ditë takime me ta për përditësime të problemeve. E kemi pasur nën kontroll bujqësinë”,- theksoi Çuçi.

Çuçi nënvozi se Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka çelur dy thirrje të IPARD brenda një viti.

“Një nga shtyllat tona është forcimi industrisë përpunuese. Ne kemi pasur një vit të sukseshsëm të aplikimeve për fondet nga BE, sa i takon IPARDIT. Jemi i vetmi vend që kemi hapur dy thirrje breda një viti, në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu jemi i vetmi vend në Ballkan që nuk kemi djegie të fondeve, për shkak të menaxhimit të mirë që kemi bërë. Një pjesë të rëndësishme të fondeve ja kemi dhënë industrisë përpunuese. Kemi dy kontrata të rëndësishme që do rrisim shumë fuqishëm përpunimin e fruta perimeve. Dhe kjo është një nisje e rëndësishme për një rritje të qendrueshëm të bujqësisë. Ne po mbjellim në Kararavasta, ku toka ka qenë e kripur dhe ku as Enveri nuk arriti ta bënte. Kemi ndërtuar ferma me qindra hektarë të mbjella, nga toka të kripura, duke i kthyer në toka prodhuese falë teknologjisë”,- tha Çuçi.

“Ne pra, do japim para dhe do investojmë aty ku ka vlerë, jo për lëmoshë. Ne do investojmë aty ku i japim parasë të marri vlerë për të ndërtuar një bujqësi të qendrueshme”,- tha ministri Çuçci.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.