Vijon operacioni humanitar në Tepelenë, Prefekti Aliaj: 550 familje të ndihmuara

TIRANË, 8 prill/ATSH- A. Fortuzi/ Vijon operacioni humanitar për shpërndarjen e ushqimeve dhe medikamenteve për familjet në nevojë dhe pensionistët e vetmuar në Tepelenë, ku u është ardhur në ndihmë 550 familjeve.

Gjatë ditës së sotme gjatë shpërndarjes së ekipeve të patronazhit, ka qenë prezent në inspektim në bashkinë e Tepelenës edhe prefekti i qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Shtabit të Koordinimit në Qark për situatën e jashtëzakonshme COVID-19. Aliaj u shoqërua nga kreu i bashkisë z. Peçi, ku së bashku vizituan disa familje të moshuarish dhe familje në nevojë në qytet. Ata kanë biseduar në mënyrë të drejtpërdrejtë me qytetarët, e ku nuk kanë munguar këshillat por edhe shqetësimet e ndara midis tyre.

Vlen të theksohet se Tepelena në këto ditë të vështira, ka nxjerrë në pah vlerat e saj të solidaritetit, e cila shprehet tek numri i ulët (3/1) i atyre që kërkojnë shërbim në banesë, pasi më shpesh janë fqinjët apo më të rinjtë pranë tyre, që janë të gatshëm t’i ndihmojnë sadopak për nevojat në këto ditë të vështira.

Aliaj bëri thirrje ndaj personave të aftë për punë në çdo bashki që të përfshihen në grupet e patronazhimit në ofrimin e ushqimeve dhe medikamenteve ndaj familjeve dhe personave në nevojë. Ndaj pensionistëve kërkohet të mos dalin nga shtëpitë e tyre gjatë kësaj periudhe, por në ndihmë të tyre të caktojnë një ditë në javë ku të bëjnë tërheqjen e mbeturinave nga shtëpitë e tyre, ku ata duhet t’i nxjerrin deri tek hyrja e pallatit.

Bashkia ka në krye të shërbimeve 31 patronazhistë për çdo lagje e fshat. Përgjatë kësaj dite janë shpërndarë rreth 50 pako ushqimore, duke e çuar në 550 totalin e tyre, qysh nga shpallja e emergjencës.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.