Qeveria gjermane, 13.5 milionë euro për dy grante Kosovës

PRISHTINË, 8 prill /ATSH/ Kosova ka marrë sot dy grante nga qeveria gjermane me vlerë 13.5 milionë euro.

Granti i parë prej 7 milionë eurosh ka për qëllim përmirësimin e aftësimit profesional, dhe granti i dytë 6.5 milionë euro për rritje të financimit në sektorin bujqësor, që është dyfishim i fondit të financimit nga KfW për fondin kosovar për garanci kreditore.

Marrëveshjet financiare, grante nga qeveria gjermane, u nënshkruan nga ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi dhe drejtori i Zyrës së KfW-së për Kosovën, Rene Escheman, në praninë edhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Christian Held.

Ministri i Financave dhe transfereve, Besnik Bislimi tha se këto dy marrëveshje financiare i adresohen dy prioriteteve të mëdha të qeverisë së Kosovës, që është përmirësimi i cilësisë në arsim dhe rritja e prodhimit bujqësor në Kosovë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, në një konferencë për media, Bislimi tha se një prej sfidave më të mëdha të tregut të punës në Kosovë, ka qenë mungesa e lidhjes së mirë në mes të tregut të punës dhe sistemit të edukimit.

“Përmes grantit prej 7 milionë euro nga qeveria gjermane do të mundësohet adresim i këtyre sfidave në sistemin edukativ të vendit, ndërkaq përmes grantit prej 6.5 milionë euro që i dedikohet fondit kosovar për garantimin e kredive do të mundësohet rritja e financimit për sektorin e bujqësisë në Kosovë. Siç e dini bankat hezitojnë pak a shumë të mbështesin sektorin e bujqësisë për shkak të risqeve proporcionale me të cilat asociohet ky sektor, rrjedhimisht nga totali i kredive të sistemit bankar një shumë, shumë e vogël apo 3% janë të alokuara për bujqësi, përmes këtij granti i cili i shtohet një granti të mëparshëm të KfW-së për fondin e garantimit të kredive tani ky fond do të ketë në dispozicion rreth 11 milionë euro për të mbështetur me garancione sektorin e bujqësisë”, tha Bislimi.

Ai tha se shpresojnë që përmes kësaj të rritet financimi për bujqësi.

Lidhur me grantin për sfidat e arsimit, Bislimi tha se nga i njëjti nuk do të përfitojë vetëm sektori publik, por edhe ai privat.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Held tha se përkundër faktit të përballjes me pandeminë COVID-19, duhet të mbahet parasysh edhe aspekti socio-ekonomik, në mënyrë që të mundësohet zhvillimi i mëtejshëm i ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla.

“Me sa jam unë në dijeni, 87 milionë eurot e ofruara për Fondin Kosovar për garanci kreditore kanë mundësuar që në anën tjetër të jepen afërsisht 180 milionë euro vlerë në kredi. Ja vlen gjithashtu të përmendet KfW e cila gjithashtu në këto rrethana ka dedikuar një kornizë të veçantë për sektorin bujqësor të lënë pas dore, dhe për zinxhirin e furnizimit edhe për jetën në zonat rurale, kjo paraqet një sektor që edhe në të ardhmen dëshirojmë ta përkrahim, kështu që edhe në të ardhmen të shohim rafte të mbushura nëpër markete, ngaqë për momentin e shohim se çfarë rëndësie të madhe paraqet një gjë e tillë. Pra me këtë financim shtesë prej 6.5 milionë euro për këtë kornizë financiare ne do të rrisim kapitalin e kësaj kornize në 11.5 milionë. Dhe mendoj të ketë një ndikim shumë të mirë sidomos pas disa muajve kur do të shihen në të vërtetë ndikimet e kësaj krize të koronavirusit, të bizneset e vogla dhe të mesme”, tha Held.

Ambasadori gjerman tha se fondi kosovar për garanci kreditore deri më tani ka dëshmuar se është një partner i besueshëm.

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.