Operacionet humanitare në Elbasan/ Arrin në 11 353 numri i familjeve të ndihmuara

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Në qarkun e Elbasanit ka arritur në 11 353 numri i familjeve dhe individëve shumë në nevojë dhe pensionistë të vetmuar që janë ndihmuar me paketa ushqimore.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla informoi sot se “gjithashtu janë shpërndarë në bazë të kërkesave 599 pako me mallra të tjera joushqimore si dhe janë dërguar në shtëpi 1495 pako me barna sipas recetave përkatëse mjekësore”.

Balla tha se 17 626 pensione ishin shpërndarë deri dje në darkë në çdo shtëpi.

“Do të vazhdojmë kështu, nesër, pasnesër, çdo ditë pa pushim deri në fund të luftës.
Shqipëria do ta fitojë luftën dhe ata që bëjnë sikur të japin mend që s’i kanë, që shajnë e mallkojnë, teksa rrotullohen në divan e çohen vetëm për të hedhur vrer mbi ata që punojnë, do t’i mohojnë ato që thonë sot pa u menduar e pa e kuptuar që kjo është një luftë. Kuja e paskrupullt e mjeranëve të SHQUP-it le të vijojë. Karvani i operacionit të përditshëm humanitar ecën përpara, kudo ku ka familje në nevojë”, tha Balla.

/m.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.