Masat të dobishme për ekzistencë në kushte lufte/ Mbi 71 000 familje me ndihmë ekonomike marrin dyfishin e pagesës

TIRANË, 8 prill/ATSH- A. Fortuzi/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimi me qytetarët mbrëmjen e së mërkurës, ka nënvizuar se 63 142 familje kanë përfituar dyfishim të ndihmës ekonomike.

Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur interesit të qytetarëve, nënvizoi se pjesa tjetër, 6% që duhet të paguhet nga bashkia do të realizohet brenda pak ditësh, duke e çuar numrin në mbi 71 000 familje me ndihmë ekonomike që përfitojnë dyfishin e vlerës.

“Lufta në vetvete është diçka e tmerrshme, masat ekonomike janë as më shumë as më pak sikur jemi në luftë dhe mbështetja jonë është për ekzistencë, duke nisur nga ata që janë në pikë të hallit, dhe duke vijuar tek ata që janë më pak në hall”, – tha Rama.

“Mos prit masa ekonomike që mos ta ndjejmë luftën. Luftën e ndjen arka e shtetit, ashtu siç e ndjen arka e familjes, pasi ashtu si arka e familjes që nuk ka si mbushet, sepse anëtarët e familjes nuk punojnë, ashtu edhe arka e shtetit ka dëmet e saj”, – tha Rama.

“Nuk ka të ardhura sikur ishin vjet, pasi shumë anëtarë të familjes sonë të madhe nuk punojnë. Masat nuk janë të tmerrshme, por të dobishme dhe për të marrë frymë. Sot që flasim 63 142 familje kanë marrë ndihmë ekonomike dyfish. Ndërkohë është një pjesë tjetër, 6% i të tërës që paguhet nga bashkitë që po lëvrohet dhe në pak ditë, mbi 71 000 persona që rezultojnë me ndihmë ekonomike, do marrin dyfishin e pagesës”, – theksoi Rama.

Kryeministri Edi Rama, gjithashtu u kujtoi qytetarëve se afatet për pasaportat dhe dokumentet e tjera janë të ngrira dhe nuk skadojnë, por do jenë të vlefshme deri në momentin që do përfundojë kjo luftë.

“Nuk ka nevojë të kërkoni të bëni dokumentet se ju kanë skaduar. Nuk di sa herë duhet ta përsëris. Afatet e kaluara për shkak të bllokimeve të ndodhura jo vetëm këtu, por në të gjitha vendet. Nuk do të penalizoheni, pasi objektivisht e keni ta pamundur të lëvizni”, – tha Rama.

Kryeministri Rama tha se për ata që kanë punuar në restorante apo bare dhe kanë mbetur pa punë do paguhen nga qeveria, ndërsa paralajmëroi dhe një zgjerim të paketës për të punësuarit në biznesin e madh.

Të gjithë ata që kanë punuar në restorante, që janë mbyllur si rezultat i kësaj situate hyjnë në kategorinë e atyre që do të paguhen  nga ne, paketa e parë përfshin biznesin e vogël dhe me punonjësit e regjistruar”, – tha Rama.

“Nëse je punonjës i regjistruar në një biznes i madh kjo i takon zgjerimit të paketës që do flasim më tutje”, – tha Rama. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.