TIRANË, 8 prill/ATSH/ Bashkia e Kurbinit vendosi rrathët e verdhë orientues për qytetarët që shërbejnë për mbajtjen e distancës fizike, si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, pranë njësive të shërbimit që janë të hapura si ushqimore, farmaci, banka apo furra buke.
“Sapo përfunduam në Kurbin me vendosjen e shenjave orientuese dhe barrierave për distancimin fizik dhe shmangien e grumbullimeve në tregun e fruta-perimeve, në hyrjet e bankave të nivelit të dytë, supermarketeve, dyqaneve të kompanive celulare apo të internetit, vende ku janë vërejtur edhe më shumë grumbullime në këto ditë”, u shpreh kryetarja e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Shqalsi Cara për ATSH-në, mëngjesin e sotëm.
Sipas saj, disiplinimi i lëvizjes së qytetarëve, në zonat më të frekuentuara dhe në pika ku krijohen radhë e grumbullime njerëzish, ka një rëndësi të madhe këto ditë.
“Për të mirën e të gjithëve, respektoni distancën dhe shmangni grumbullimet. Shëndeti është i pari”, ishte apeli që përcolli Cara.
Kryetarja e bashkisë Kurbin siguroi qytetarët se të gjitha strukturat vendore do të jenë pranë të gjithë atyre familjeve që e kanë të domosdoshme ndihmën për tejkalimin e kësaj situate. /a.gjonaj/ /a.a//r.e/