COVID-19/ Zinxhiri ushqimor në kushtet e emergjencës, monitorim i nivelit të prodhimit dhe furnizimit

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, zhvilloi sot një videokonferencë me homologët nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe dy vendet e Bashkimit Europian, Kroacinë dhe Slloveninë, për të diskutuar mbi situatën në sektorin bujqësor në kushtet e emergjencës së COVID-19 dhe masat që duhet të ndërmerren për të amortizuar efektet e kësaj krize.

Ministri i njohu me masat që ka marrë qeveria për vijimin e import-eksportit dhe aktivitetit normal në zonat rurale dhe sektorin e agrobiznesit.

“Në mënyrë që të mos ketë vonesa në furnizimin me ushqime, Shqipëria ka kufizuar në minimum periudhën e inspektimit në pikat kufitare. Kërkova që kjo praktikë të garantohet nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, – u shpreh ministri.

Gjatë këtij takimi, Çuçi propozoi monitorim nga afër të nivelit të prodhimit dhe furnizimit me produkte bujqësore dhe ushqimore në vendet e rajonit në mënyrë që të mos gjendemi përpara të papriturave pasi askush nuk di të thotë se sa do të zgjasë beteja me COVID-19.

“Në këtë situatë është shumë e rëndësishme që vendet tona të respektojnë parimet për tregtinë e lirë në rajon, si dhe të komunikohet rregullisht përmes kësaj platforme për iniciativat e reja dhe paketat e politikave për të mbështetur fermerët dhe përpunuesit në këtë periudhë, – u shpreh ministri, ndërsa theksoi se, – krahas masave përkatëse që merr çdo vend në mënyrë të pavarur, është gjithashtu e rëndësishme të dëshmojmë solidaritet dhe të funksionojmë si një treg i vetëm”.

Çuçi tha se, përmes kësaj platforme të krijuar tashmë, ne do të informohemi reciprocikisht për nismat e qeverive të vendeve tona dhe paketat mbështetëse për sektorin bujqësor, në mënyrë që të minimizojmë efektet e krizës së shkaktuar nga kjo pandemi. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.