Ambasadori Zingraf: Ruajtja e distancës shpëton jetë!

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, shprehet lidhur me situatën aktuale që ka krijuar COVID-19, se “Ruajtja e distancës shpëton jetë!”

“Në luftën kundër koronavirusit në Gjermani, njësoj si në Shqipëri e kudo gjetkë, vlen e njëjta gjë: “physical distancing” shpëton jetë. Nuk na lejohet ta harrojmë këtë dhe duhet ta vazhdojmë të ruajmë distancën e të qëndrojmë në shtëpi!” – shprehet Zingraf.

Ne si Ambasadë, thekson ai, po japim kontributin tonë: nuk ka më vizitorë në Ambasadë, për kontaktet tona kujdesemi përmes lidhjeve telefonike dhe digjitale. Natyrisht na vjen keq që nuk mund të shkojmë në park apo breg të detit, por po kaq gëzohemi, që do të mund t’i rikuperojmë të gjitha këto pas krizës.

“Së bashku me Bashkimin Europian ne japim mbështetjen tonë për Shqipërinë në luftën kundër Koronas. Rruga e Shqipërisë çon drejt Europës, Gjermania qëndron në krah të shqiptarëve në sfidat e mëdha të të ardhmes së afërt: kapërcimi i pasojave të virusit Korona, rindërtimi pas tërmetit dhe vijimi i rrugës së reformave me sytë nga bisedimet, që na presin për anëtarësimin në BE”, shprehet ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf. e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.