Test i ri që ndihmon në diagnozën e COVID-19, ngrihet grup pune në ISHP

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë të ditur se do të aplikohet një test i ri që ndihmon në diagnozën e sëmundjes së COVID-19 dhe për këtë është ngritur grupi i punës, pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive pranë ISHP, Silva Bino sqaroi se ky test nuk do të aplikohet tek personat imunë. Vlerësime të tilla janë kryer në Itali dhe SHBA dhe teste të tilla do kryhen sapo të jenë gati në botë.

“Do të aplikohet një test i ri, jo tek personat imunë, por në ndihmë të diagnozës i cili është një test i ri serologjik dhe që ndihmon më mirë diagnozën e sëmundjes. Për sa i përket matjes së imunitetit në popullatë apo a popullata është e mbrojtur, kjo po planifikohet dhe do të kryhet sapo testet të tilla të jenë gati.

Këto janë studime të steroprevalencës në të cilat ISHP e kryen vazhdimisht, siç kryen për sëmundje që parandalohet nga vaksina, sic është kryer për fruthin apo edhe për sëmundje të tjera si ethet hemorragjike, sesi e kemi përhapjen, kështu që sapo të jenë gati testet, është një grup pune i cili po punon në këtë drejtim. Testet do të kryhen sapo në botë të jenë të gatshme. Aktualisht, në dijeninë time u kryen disa vlerësime në Itali dhe SHBA dhe janë teste që po vlerësohen në këto vende”, tha Bino. z.tosku/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.