Tatimet apel biznesit: Afatet e deklarimit dhe pagesës së detyrimeve tatimore nuk kanë ndryshuar!

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Administrata Tatimore sjell në vëmendje të të gjithë tatimpaguesve se afatet e deklarimit dhe pagesës së detyrimeve tatimore nuk kanë ndryshuar.

Afati i parë i deklarimit, është data 10 prill, në të cilën të gjithë subjektet e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), duhet të dorëzojnë në mënyrë elektronike, nëpërmjet e-filing, regjistrimet e Librave të Shitjes dhe të Blerjes, për periudhën Mars 2020.

Ndërkohë, bën të ditur DPT, që vijojnë të mbeten të pandryshuara afatet e deklarimit dhe pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) datë 14 prill, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe ato shëndetësore dhe Tatimit mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP) për të gjithë subjektet tatimpagues datë 20 prill.

Sipas DPT-së, afati për taksat kombëtare, rentës minerare, tatimit të mbajtur në burim si dhe deklarimi dhe pagesa e detyrimeve tatimore për lojërat e fatit, është data 15 prill.

Administrata Tatimore nxit tatimpaguesit dhe iu bën thirrje që të respektojnë afatet ligjore të deklarimit dhe pagesës së detyrimeve tatimore për aktivitetin e zhvilluar gjatë muajit mars. /a.gjonaj//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.