Sondazhi në periudhën COVID-19/ Ç’mendojnë shqiptarët për Ramën, Metën dhe Bashën

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësohet nga populli italian në vendin e parë nga liderët botërorë pas ndihmës që i dha vendit fqinj përmes dërgimit të mjekëve dhe infermierëve për të luftuar koronavirusin.

Në sondazhin e zhvilluar në Itali dhe në Shqipëri nga një kompani italiane publikuar në Report Tv, ndër liderët botërorë, 62.8% e italianëve vlerësojnë kryeministrin shqiptar Edi Rama, i dyti është Vladimir Putin me 52.8%, i treti Presidenti francez Macron me 41.6, Donald Trump renditet i nënti, Merkel e 12-ta, ndërsa Presidentja e KE-së e 13-ta.

Ndihma me ekipin mjekësor/ 38.3% e qytetarëve  e vlerësojnë shumë gjestin e kryeministrit shqiptar

Qytetarët italianë janë pyetur në sondazh si e vlerësojnë vendimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama për ndihmën e ofruar Italisë me 30 mjekët dhe infermierët.

38.3% e qytetarëve italianë janë shprehur se e vlerësojnë shumë gjestin e kryeministrit shqiptar, 24.5% si të mjaftueshëm (në total 62.8%). Ndërsa 29.7% e kanë vlerësuar pak dhe 7.5% aspak (në total 37.2%).

Ndihma me ekip mjekësor për Italinë/ 95.6% e qytetarëve italianë thonë se mendimi për shqiptarët është përmirësuar

Qytetarët italianë janë pyetur në sondazh nëse ka ndryshuar mendimi i tyre për shqiptarët pas dërgimit të 30 mjekëve dhe infermierëve në luftën kundër koronavirusit.

95.6% e qytetarëve italianë janë shprehur se mendimi për shqiptarët pas këtij gjesti është përmirësuar, 3.3% theksuan se vijon që të jetë njëlloj, ndërsa 1.1% thanë se është përkeqësuar.

75% e qytetarëve shqiptarë vlerësojnë  vendimin e Ramës për dërgimin e mjekëve në Itali

Ndërsa në sondazhin e kryer në Shqipëri pyetjes si e vlerësojnë qytetarët vendimin e Ramës për dërgimin e mjekëve në Itali 75% e shqiptarëve e vlerësojnë totalisht të favorshëm vendimin e kryeministrit Edi Rama për të dërguar mjekë dhe infermierë në Itali.

20% e vlerësojnë si të favorshëm, vetëm 3% janë kundër, totalisht kundër nuk është shprehur asnjë qytetar shqiptar, ndërsa 2% janë indiferentë.

Shqiptarët vlerësojnë masivisht masat ekonomike

Në sondazh qytetarët janë pyetur edhe në lidhje me masat ekonomike të ndërmarra për përballimin e pasojave të COVID-19. 37% e shqiptarëve i kanë vlerësuar si të mjaftueshme masat ekonomike që ka ndërmarrë qeveria për përballimin e situatës së shkaktuar nga koronavirusi. 29% janë shprehur se janë masa komplet të mjaftueshme, 21% i kanë vlerësuar të drejta, ndërsa 13% diskriminuese dhe selektive.

COVID-19/ 75% e qytetarëve shqiptarë aprovojnë të gjitha masat

Qytetarët shqiptarë janë pyetur se me cilën nga masat e marra nga qeveria kundër koronavirusit nuk janë dakord. 75% i kanë aprovuar të gjitha masat, 8% nuk janë dakord me limitimin e të drejtës për të dalë nga shtëpia, 7% kundër ndalimit të automjeteve të pa autorizuara, 4% kundër ndalimit absolut të pensionistëve për të dalë nga shtëpia, 2% kundër mbylljes së kufijve, 1% kundër mbylljes totale në fundjavë dhe 3% nuk janë përgjigjur. Shqiptarët janë plotësisht dakord me mbylljen e shkollave dhe bareve e restoranteve.

 

78% e shqiptarëve: Qeveria ka reaguar mirë

Qytetarët shqiptarë janë pyetur edhe për reagimin e qeverisë Rama kundër përhapjes së epidemisë. 78% e shqiptarëve janë shprehur se qeveria ka reaguar mirë, në momentin e duhur dhe me shpejtësi. Ndërkohë që 22% e qytetarëve të pyetur janë shprehur se qeveria ka reaguar keq, me vonesë dhe shumë ngadalë.

Situata alarmuese nga COVID-19 për 50% të shqiptarëve

50% e qytetarëve shqiptarë e cilësojnë si mjaftueshëm alarmuese situatën e provokuar nga koronavirusi në Shqipëri, 36% e vlerësojnë shumë alarmuese (në total 86%). Ka edhe nga ata qytetarë që janë shprehur se situata është pak alarmuese, që janë 13%, ndërsa për 1% nuk është aspak alarmuese (14% në total).

63% e shqiptarëve mendojnë se opozita nuk po sillet në mënyrë të përgjegjshme

Koronavirusi nuk arriti që të bashkonte politikën shqiptare. Shqiptarët e gjykojnë sjelljen e opozitës gjatë pandemisë së shkaktuar nga koronavirus. 63% e shqiptarëve mendojnë se opozita nuk po sillet në mënyrë të përgjegjshme, ndërsa vetëm 37% e tyre e vlerësojnë si të përgjegjshme.

52% e të anketuarve shprehen se kreu i shtetit nuk po sillet në mënyrë të përgjegjshme

Shqiptarët janë pyetur edhe për sjelljen e Presidentit Ilir Meta në këtë periudhë emergjence nga koronavirusi. 52% e personave që janë anketuar janë shprehur se kreu i shtetit nuk po sillet në mënyrë të përgjegjshme, ndërsa 48% e kanë vlerësuar si të përgjegjshme.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.