NJU JORK, 7 prill /ATSH-AFP-AA/ – Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të zhvillojë të enjten takimin e parë mbi pandeminë e COVID-19 pas disa javësh zvarritjeje, veçanërisht mes pesë anëtarëve të përhershëm të OKB, sipas burimeve diplomatike.
Të enjten e kaluar, të irrituar nga ndarjet mes Kinës dhe SHBA-së, duke paralizuar procedurat, nëntë nga dhjetë anëtarë jo të përhershëm kërkuan zyrtarisht një seancë të Këshillit mbi COVID-19 me një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres.
Sipas informacioneve të marra nga burimet diplomatike, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, që është kritikuar se nuk ka ndërmarrë asnjë hap kundër koronavirusit, mësohet se të enjten nëpërmjet video-konferencës për herë të parë do të diskutojë për COVID-19.
Pavarësisht paralajmërimeve nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres se epidemia kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe se është kriza më e vështirë që prej Luftës së Dytë Botërore, Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk ka ndërmarrë asnjë hap për çështjen e COVID-19 edhe pse ai ka për detyrë mbrojtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Ndonëse janë bërë thirrje për bashkëpunim global, në Këshillin e Sigurisë në të cilin ndodhin mosmarrëveshje në shumë çështje, janë shfaqur mosmarrëveshje edhe në çështjen e epidemisë.
“Takimi u konfirmua për t’u zhvilluar të enjten dhe do të mbahet me dyer të mbyllura në orën 19:00 GMT nga një videoconference”, theksoi një diplomat./ /ec/