Masat e sigurisë/ 95 monitorime në terren, gjobë 4 subjekteve për mosrespektim të Aktit Normativ

TIRANË, 7 prill /ATSH – I. Vata/- Trupat inspektuese të Drejtorive Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë qenë në terren duke kontrolluar subjektet ushqimore për garantimin e sigurisë ushqimore si edhe monitorime apo këshillime në kuadër të masave të shtuara për mospërhapjen e COVID-19.

AKU shprehet se “janë kryer 95 monitorime dhe kontrolle zyrtare, janë marrë 4 masa administrative me “gjobë” në 4 subjekte me aktivitet “njësi tregtimi fruta-perime” në Fier për mosrespektim të aktit normativ, mungesë të maskave dhe dorezave, mungesë dezinfektantësh dhe mosafishim të planit të masave në vlerën e 200 mijë lekëve në total si dhe janë dhënë 7 masa administrative “paralajmërim” në Tiranë në subjekte me aktivitet “furrë buke”.

Po ashtu, AKU njoftoi se në Qarkun e Vlorës në bashkëpunim me organet kompetente të Policisë së Shtetit, në 4 subjekte janë bllokuar produkte ushqimore me etiketë të falsifikuar. Është bërë bllokimi i tyre në këto subjekte, si provë për organet hetimore dhe është lënë detyrë tërheqja e tyre në mënyrë të menjëhershme nga tregu.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë kontrollet duke mos lejuar asnjë tentativë abuzimi, si dhe u bën thirrje të vazhdueshme të gjithë operatorëve të biznesit ushqimor që të zbatojnë me rigorozitet të gjitha masat e marra nga qeveria për shmangien e përhapjes së COVID-19. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.