COVID-19/ Shoqata Kombëtare Farmaceutike Greke kundër testimit masiv: Pse fokusi duhet vetëm tek ata me shenja të virusit

TIRANE, 7 prill /ATSH/ – Ndërkohë që bota po përballen me pasojat e COVID-19, një tjetër çështje e diskutuar së fundmi është testimin i popullatës për zbulimin e rasteve, ndjekjen dhe ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit.

Numri i testimeve nuk është një zgjedhje politike e qeverive, por një vendim i ekspertëve të shëndetësisë të cilët vazhdimisht kanë deklaruar se testimet duhet të fokusohen tek pacientët që kanë shenja klinike të kësaj sëmundje, por jo në masë.

Së fundmi edhe në shtetin fqinj, në Greqi, Shoqata Kombëtarë Farmaceutike shprehet kundër testeve në masë, në një deklaratë të publikuar në faqen e tyre zyrtare.

Nëpërmjet edhe një letre drejtuar të gjitha shoqatave farmaceutike të vendit, Shoqata Kombëtare Farmaceutike rekomandon se ”në fazën aktuale, farmacistët të mos bëjnë furnizime me teste diagnostikuese të COVID-19”.

Në deklaratën e publikuar, kjo shoqatë thekson se nuk rekomandohet testimi tek ata persona që nuk kanë shenja të koronavirusit, ndërsa evidenton edhe një fakt shkencor lidhur me testimet masive.

”Një test mund të rezultojë pozitiv dhe të jetë i rremë për shkak të ekspozimit ndaj viruseve të tjerë të familjes së koronavirusit që janë të zakonshëm çdo vit dhe shkaktojnë ftohje”, evidenton kjo shoqatë mbi falsitetin e testimeve masive.

Gjithashtu theksohet se po këto testime mund të rezultojnë edhe negativ në fazën akute të sëmundjes te një i prekur nga COVID-19, por që ka simptoma  të lehta dhe jep mesazhin e gabuar se ai pacient që është mirë, nuk është i infektuar.

”E vërteta mund të jetë ndryshe, pasi një pasi një person mund të jetë i infektuar pavarësisht se testi del negativ, sidomos në fazën akute të COVID-19″, arsyeton kjo shoqatë.

Prandaj apelon që ”testet më të besueshme janë ato molekulare, të certifikuara nga organet ndërkombëtare, të cilat po përdoren aktualisht në të gjitha vendet e botës. Në luftën kundër virusit, na nevojiten të dhëna të sakta dhe të dimë të vërtetën. Testet e antitrupave nuk janë për këtë fazë të pandemisë”.

”Gjatë kësaj periudhe, grupe kërkimore në Greqi nga universitete të ndryshme në bashkëpunim me Organizatën Kombëtare të Shëndetit Publik të Greqisë, po vlerësojnë besueshmërinë dhe përdorimin e mundshëm në të ardhmen të këtyre testeve me antitrupa për qëllime epidemiologjike dhe qëllime të tjera praktike”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, shoqata i është drejtuar edhe Ministrisë greke të Shëndetësisë duke kërkuar që të informohen në mënyrë të vazhdueshme lidhur me këtë çështje dhe veçanërisht, kur të gjykohet i përshtatshëm përdorimi i këtyre testeve në komunitet, të jepen udhëzime se cili test ka më shumë rezultat dhe është më i sigurt, kur do të ishte i dobishëm përdorimi i tyre dhe në cilat grupe pacientësh do të ishte i dobishëm përdorimi i tyre./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.