COVID-19/ Legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale nuk pengon apo kufizon kompetencat e institucioneve ligjzbatuese

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale sqaroi sot se, “legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale nuk pengon apo kufizon kompetencat e institucioneve ligjzbatuese, si dhe të drejtat dhe detyrimet e çdo kontrolluesi tjetër publik dhe privat për përpunimin e të dhënave personale për qëllime të masave parandaluese, si dhe detyruese për çdo qytetar, në betejën e përbashkët kundra COVID-19”.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale publikoi dy dokumente që media duhet t’i mbajë në konsideratë në lidhje me situatën e krijuar nga pandemia e COVID-1.9

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vlerëson maksimalisht angazhimin e përditshëm të të gjitha organeve të medias së shkruar, audiovizive dhe online për informimin me transparencë dhe përgjegjshmëri të opinionit publik në lidhje me situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19.

Për këtë qëllim, Zyra e Komisionerit bën të ditur se ka përgatitur dhe publikuar në faqen e saj zyrtare dy dokumente që duhen mbajtur në konsideratë në këtë situatë: “Udhëzues për mbrojtjen e të dhënave personale në kuadër të masave kundër COVID-19”, si dhe Udhëzues për përpunimin e të dhënave personale në sektorë specifikë në kuadër të masave kundër COVID-19”.

Në udhëzuesin “Për mbrojtjen e të dhënave personale në kuadër të masave kundër COVID-19”, thuhet se, çdo kontrollues publik dhe privat në Republikën e Shqipërisë, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, është i detyruar të veprojë në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” i ndryshuar (në vijim, “Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”), si dhe aktet nënligjore të nxjerra nga Komisioneri në zbatim të tij.

Situata e krijuar nga përhapja e virusit COVID-19 nuk përbën shkak të ligjshëm për mosrespektimin e të drejtës së çdo qytetari për mbrojtjen e të dhënave të tij personale dhe, rrjedhimisht, për mosrespektimin e jetës së tij private, të cilat, së bashku, përbëjnë një kategori të drejtash vetjake të mbrojtura nga Kushtetuta.

Nga ana tjetër, Zyra e Komisionerit sqaron se, në asnjë rast, legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale nuk pengon apo kufizon kompetencat e institucioneve ligjzbatuese, si dhe të drejtat dhe detyrimet e çdo kontrolluesi tjetër publik dhe privat për përpunimin e të dhënave personale për qëllime të masave parandaluese, si dhe detyruese për çdo qytetar, në betejën e përbashkët kundra COVID-19.

Në kuadër të masave që po ndërmerren nga institucionet ligjzbatuese, si dhe çdo kontrollues tjetër publik dhe privat në vend, për adresimin e shpejtë dhe efektiv të situatave emergjente, Zyra e Komisionerit njeh nevojën për përpunimin e të dhënave personale të subjekteve të të dhënave, të tilla si, por pa u kufizuar, emri, adresa, vendi i punës, detajet e udhëtimit, imazhet e regjistruara, etj. Përpunimi i këtyre të dhënave duhet të kryhet në përputhje me nenet 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Veçanërisht i rëndësishëm, në këtë kontekst, është përpunimi i të dhënave që lidhen me shëndetin e qytetarëve, sidomos të dhënat lidhur me infektimin nga COVID-19, si dhe sëmundjet e tjera të cilat, në kombinim me COVID-19, mund të kanosin seriozisht shëndetin dhe/ose jetën e qytetarëve. Këto informacione përbëjnë të dhëna sensitive në referim të pikës 4 të nenit 3 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe përpunimi i tyre rregullohet specifikisht nga neni 7 i këtij ligji, në harmoni me nenet 5 dhe 6 të tij.

Zyra e Komisionerit vlerëson se përpunimi i të dhënave personale dhe, veçanërisht, atyre të lidhura me shëndetin e subjekteve të të dhënave është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit dhe interesit publik, në situatën në të cilën ndodhet vendi aktualisht. Në këto kushte, përveç mbledhjes dhe ruajtjes së të dhënave personale, gjendet parimisht e arsyetuar edhe nevoja për transmetim dhe shkëmbim të shtuar të këtyre të dhënave, midis çdo kontrolluesi dhe institucioneve ligjzbatuese në kuadër të masave kundra virusit COVID-19.

Në çdo rast, Zyra e Komisionerit rithekson detyrimin e kontrolluesve për të përpunuar të dhënat personale në përputhje me parimet e nenit 5 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Çdo kontrollues është, ndër të tjera, i detyruar të përpunojë të dhënat personale vetëm për qëllimin specifik (në rastin konkret, masat kundra COVID-19), si dhe të mos tejkalojë këtë qëllim. Kontrolluesit nuk mund të përpunojnë më shumë të dhëna sesa është e nevojshme për qëllimin specifik të përpunimit.

Më tej, përpunimi i të dhënave personale, të subjekteve përkatëse të të dhënave, mund të zgjasë vetëm për aq kohë sa ekziston qëllimi i përpunimit, me përjashtim të rasteve kur ka një parashikim ligjor specifik që përcakton përpunimin për një periudhë më të gjatë. Pra, për aq kohë sa paraqitet e nevojshme për zhdukjen e virusit COVID-19 dhe për rehabilitimin e pasojave të këtij virusi nga dhe për çdo subjekt të dhënash.

Për rrjedhojë, me zhdukjen e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, çdo kontrollues (përshirë këtu institucionet ligjzbatuese) është i detyruar të fshijë/shkatërrojë të dhënat personale të përpunuara në këtë kuadër.

Përveç sa më sipër, çdo kontrollues duhet të marrë masa teknike dhe organizative për garantimin e sigurisë dhe konfidencialitetit të të dhënave personale të përpunuara në kuadër të masave kundra COVID-19, në zbatim të neneve 27 dhe 28 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Zyra e Komisionerit apelon fuqimisht në mirëkuptimin e çdo qytetari lidhur me nevojën dhe rëndësinë e përpunimit të të dhënave personale, në funksion të menaxhimit dhe shmangies me sukses të pasojave negative të COVID-19, si dhe shpreh gatishmërinë e saj për të adresuar çdo çështje që mund të ngrejë çdo palë e përfshirë në këtë sfidë njerëzore të përbashkët.

Gjithashtu, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale informon se në funksion të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, faqja zyrtare në internet e Zyrës së Komisionerit përditësohet në vijimësi, duke reflektuar, njëkohësisht, praktikat dhe përvojat më të mira të organizatave ndërkombëtare dhe autoriteteve homologe të fushës.

/gj.mima/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.