Zgjerimi i kohës së lëvizjes me pikatore, në bazë të zbatimit të rregullave dhe kurbës së infektimeve gjatë kësaj jave

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Mosrespektimi i masave do të përkthehet edhe me konfiskim të pasurisë dhe heqje lirie.

“Duam që të lehtësojmë më tutje aktivitetin, në njësi individuale, në njësi  shërbimi, jo lokale, jo klube, jo restorante, jo palestra, që nuk janë njësi tregtare brenda qendrave të mëdha tregtare që do të vazhdojnë të mbyllura por patjetër që edhe për këtë do t’i kërkoja të gjithë atyre që kanë njësi të tilla që të përgatiten sepse duhet të jenë të përgatitur të pajisin me maska, me doreza me dizinfektantë për të gjithë klientët, njësitë e tyre. Mosrespektimi i këtyre masave, do të dënohet. Do të dënohet me konfiskim të gjithçkaje që ka brenda, me mbyllje për një periudhë kohe dhe heqje lirie. S’kemi rrugë tjetër. Në Kodin Penal Italian, një nen i shumë kohëve më parë, që është ende në fuqi, e konsideron thyerjen e rregullave të vendosura në kohë epidemie si plagosje të rëndë dhe e dënon fort, shumë fort me burg”, – tha Rama.

Lidhur me zgjerimin e fashës së orarit, Rama tha se nuk është ky problemi në këtë luftë, por që lehtësimi do të kryhet për ata qytetarë që janë të ndërgjegjshëm dhe respektojnë rregullat.

“Po ashtu, jemi duke  studiuar edhe hapjen e orarit, shtrirjen e fashës së orarit dhe lehtësimin e masave duhet të shoqërohet me shtrirje të fashës orare. Sigurisht që, fasha orare është e diskutueshme në kushtet që jemi tani. Unë i qëndroj bindjes që nuk është fasha e orarit problem. Çdo fashë orari është e diskutueshme në kushtet që jemi tani, në kushtet e luftës. Nuk është fasha e orarit problemi, do të ishte tmerr rrumpalla që krijojnë disa, që krijuan ditën e shtunë në tregun e Kombinatit. Ishte një krim në pavetëdije të plotë. Të gjitha këto do të jenë masa të cilat janë gati por do të jenë të përshkallëzuara me pikatore dhe nga ana tjetër, nuk do të fillojnë përpara se ne të shikojmë në territor gjatë kësaj jave, zbatimin e të gjitha këtyre masave që kemi paralelisht me ecurinë e kurbës së epidemisë”, – përfundoi Kryeministri. z.tosku//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.