Urë Vajgurore/ Konkurs online për të rinjtë e talentuar, ja si mund të aplikoni

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Në kushtet e izolimit dhe qëndrimit në banesa për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19, të rinjtë mbi 15 vjeç te Urës Vajgurore, mund të bëhen pjesë e konkursit online, duke shpalosur talentin e tyre ne prozë, pikturë etj.

Kryetarja e bashkisë, Juliana Memaj ka prezantua konkursin online me temë “Së bashku për familje të shëndetshme e pa dhunë, edhe në situata emergjence” , ku të rinjtë mund të japin mesazhe sesi mund të kontribuohet për një familje të shëndetshme e pa dhunë, në situatën në të cilën ndodhemi.

Konkursi është menduar të zhvillohet qëllimisht në kushtet e vetëizolimit dhe të kufizimit të lëvizjeve për shkak të masave të ndërmarra për t’u mbrojtur nga COVID-19.
Përjetimet negative, tensioni dhe frika që disa të rinj mund të përfitojnë për shkak të situatës së vështirë në familje, mund të transformohen në mjete artistike për të përcjellë mesazhe sa më pozitive dhe optimiste, të cilat të synojnë të mbajnë larg dhunën dhe të ndikojnë në marrëdhëniet e shëndetshme familjare, modelet pozitive të përballimit të stresit dhe prindërimin pozitiv.

‘Kalimi i kohës më fëmijët në mënyrë produktive, ndryshimi i mendësive patriarkale dhe steriotipeve gjinore mbi rolin e burrave/djemve dhe grave/vajzave në familje, nxitja e modeleve të përballjes me stresin dhe menaxhimin e frikës, forcimi i marrëdhënieve të shëndosha në familje, aplikimi i ndëshkimeve për këdo që dhunon pavarësisht kufizimeve të emergjencës, etj., – janë disa prej tematikave që mund të përzgjidhni të trajtoni në punimet dhe krijimtarinë tuaj artistike-thotë Memaj.

Të rinjtë kreativë mund të dërgojnë punimet e tyre në adresën e emailit: [email protected] në fusha s: prozë (ese), pikturë, spote të shkurtra, deri në datën 30 Prill . Të gjitha krijimet e paraqitura do të postohen më pas në faqen e internetit të kryetares së bashkisë ku nga data 1 maj deri në datën 10 do të hapet edhe votimi (on-line).

Mënyra e votimit do të jetë nëpërmjet “Like”, “Koment” dhe “Share” vetëm nga kjo faqe zyrtare ndërsa shpallja e fitueseve do të bëhet në datën 15 maj.

Për secilën fushë të artit do të jepen dy çmime, pra në total 6 çmime, ku tre çmimet e para do t’i dhurohen pako ushqimore me vlerë 4000 dhe tre çmimet të tjera pako ushqimore me vlerë 2500 . Me përfundimin e periudhës së emergjencës, fituesit do të ftohen edhe në një takim ku do të ndahen edhe certifikata pjesëmarrje për ta si dhe do të ndajnë me të gjithë ne eksperiencat e tyre.

Ky konkurs vjen si bashkëpunim i Urës Vajgurore me UNDP Shqipëri, në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara, “Për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave”, financuar nga Qeveria e Suedisë dhe që po zbatohet nga UNDP, UN Women dhe UNFPA, në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë. z.tosku/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.