Shtyrja e pagesës së kësteve të kredisë/ Tatimet publikojnë formularin e ankesës për bankat

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikoi sot formularin e aplikimit për ankesa në lidhje me zbatimin e urdhrit të Kryeministrit dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, mbi shtyrjen e afatit të pagesave të kësteve të kredive.

“Në zbatim të Urdhrit të Bankës së Shqipërisë, datë 17.03.2020, të nënshkruar nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, mbi shtyrjen e afatit të pagimit të kësteve të kredive për biznese dhe individë deri në datën 31.05.2020, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, i bën thirrje të gjithë kredimarrësve të cilët kanë ankesë për moszbatim të këtij Urdhri, të dërgojnë një email në adresën [email protected]”, thuhet në njoftimin e DPT-së.

Kredimarrësit përfitues duhet të argumentojnë përballjen me vështirësitë e hasura si pasojë e situatës së shkaktuar nga COVID-19, duke plotësuar formularin e publikuar nga Tatimet.

Kryeministri Edi Rama, pak më herët theksoi se bankat po e zbatojnë urdhrin për shtyrjen e kësteve të kredisë, ndërsa apeloi qytetarët se në rast se hasin pengesë të denoncojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Ai siguroi se çdo rast i denoncuar do të shqyrtohej nga Tatimet.

APLIKIM ANKESE PËR KREDI BANKARE

Kredimarrësi:
Emri:
Atësia:
Mbiemri:
NID:
Numri i Kontratës:
Data e Kontratës
Adresa:
Tel/Cel:

Kredidhënësi:
Emri i Bankës:
Dega:
Adresa:
Tel/Cel:

Argumenti i individit/biznesit mbi situatën e krijuar nga COVID-19

Ankesa:

/a.gjonaj/ /a.a/ /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.