Shkodra “bombë me sahat”/ Rama apel qytetarëve: Respektoni rregullat, do të bëjmë gjithçka për të shkëputur zinxhirin e infeksionit

TIRANË, 6 prill /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama u ka bërë apel qytetarëve në Shkodër të respektojë urdhrat për qëndrimin në shtëpi për parandalimin e COVID-19, sepse mosrespektimi i rregullave e ka kthyer qytetin verior në “minë me sahat”.

“Dua t’u bëj një apel të gjithë banorëve të Shkodrës. Ju lutem shumë, bëni kujdes dhe respektoni maksimalisht rregullat në mënyrë të posaçme, sepse mosrespektimi i rregullave dhe shpërfillja e disa masave elementare e ka kthyer Shkodrën në një bombë të kurdisur me sahat”, deklaroi Kreu i Ekzekutivit.

“Ne po punojmë  shumë fort, do të bëjmë gjithçka për të mbështetur Shkodrën, për të mbështetur familjet atje. Ata që janë në nevojë, pa diskutim, si kudo tjetër, edhe pse për fat të keq ende nuk e kemi patur angazhimin dhe mirëkuptimin e plotë nga ana e strukturave të pushtetit vendor, por shpresoj se do jetë diçka që do të zgjidhet një orë e më parë për të mirën e Shkodrës, për të mirën e qytetarëve të Shkodrës, por në fund të ditës është disiplina e hekurt dhe respektimi i masave nga vetë banorët”, – tha ai.

Rama tha se “do bëjmë gjithçka për të shkëputur zinxhirin e infeksionit duke ndjekur protokollet sipas strategjisë së përcaktuar nga komiteti i ekspertëve dhe për të realizuar izolimin e të gjithë atyre që janë të infektuar si kudo në të gjithë vendin, sepse nuk është  diçka ndryshe për Shkodrën, por situata është shumë delikate”. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.