“Nuk është kohë për opozitë të llojit skarco”/ Rama-Bashës: Do apo s’do ti, strategjinë e testeve nuk e bëj unë, por ekspertët

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj Partisë Demokratike në lidhje me deklaratat e saj sa i takon numrit të testimeve që po kryhen për identifikimin e personave të prekur nga COVID-19.

Rama tha se edhe pse të dhënat janë inkurajuese deri më tani në lidhje me situatën e COVID-19 në Shqipëri, çdo vendim që do të marrë lidhur me masat do të vijnë nga radhët e ekspertëve të shëndetësisë, më konkretisht të komitetit të ngritur.

“Të dhënat e djeshme ishin pozitive, inkurajuese por duhet të shohim, sepse jemi tani në momentin që po ngjisim majën e kodrës. Dhe do të ma thonë ekspertët se çfarë dhe si do të bëjmë. Më vjen shumë keq që duhet të rikthehem tek një pikë që nuk dua as të rikthehem gjatë gjithë kësaj periudhe, tek pika që lidhet me Partinë Demokratike dhe me opozitën. Dua i‘ia përsëris Lulzim Bashës edhe njëherë tjetër. Nuk është koha kjo për të bërë opozitë të llojit që edhe ai lloj është një lloj skarco, sidoqoftë kjo nuk është zgjedhja ime por është zgjedhja juaj, të atij llojit të përpara luftës. Nuk është koha për të bërë opozitë duke thënë se Partia Demokratike mendon se testet duhen bërë kështu. Po kush është Partia Demokratike që mendoka si duhet të bëhen testet, çfarë është PD, institut i certifikuar nga OBSH-ja për shëndetësisë apo institucion ndërkombëtar me reputacion që në fakt me thënë të drejtën, edhe për tabelën e shumëzimit ka pikëpamje të ndryshme nga shkenca? Si mundet të sulmohen ata të cilët punojnë me stresin më të madh sot që janë ekspertët e shkëlqyer të komitetit të ekspertëve sikur qenkan ata që fliskan atë që thotë kryeministri? Jo mor Lulzim, unë them atë që më thonë ata. E përsëris përmendesh dhe zbatoj këshillat e tyre dhe strategjitë që nuk i bëj unë, i bëjnë ata dhe do të vazhdojnë t’i bëjnë ata, do ti apo s’do ti, do PD apo s’do PD”, – tha Rama.

Më tej, ai kërkoi bashkëpunimin e kreut të opozitës.

“Ka ardhur koha të kontribuosh, të kontribuojmë bashkërisht për ta fituar këtë luftë. Është koha për të treguar se sa pak dini dhe se nuk dini akoma, atë që s’dini. Është koha për t’u koordinuar së bashku. Lulzim, të kam thënë, e kam thënë në sy të Presidentit të Republikës, të të gjithë Këshillit të Sigurisë kombëtare: nëse keni diçka, pyesni përpara. Ne do t’ju japim të gjithë informacionin. Ju shqetëson strategjia e testeve? Pyesni, dëgjoni. Ju shqetëson një tender? Shikoni dokumentacionin, një procedurë këtu apo atje, pyesni dhe na ndihmoni ne nëse kemi nevojë të korrigjohemi nëse jemi në gabim. Nuk e njohim atë që propozoni ju si të drejtë? Mund të dilni e t’i thoni publikut çfarë të doni, por nuk është mënyra kjo për të folur me publikun, me forma e mjete komunikimi që janë bërë për kohë paqeje dhe që në kohë lufte janë ordinere dhe kriminale për fat të keq, për fatin tënd dhe tuaj të keq”, – tha Rama. z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.