Masat ndaj COVID-19/ Policia Rrugore: Qytetarët më të sensibilizuar, vetëm katër raste në shkelje të fashës së orarit gjatë fundjavës

TIRANË, 6 prill /ATSH – A. Fortuzi/ Policia e Rrugore e Tiranës ka konstatuar vetëm katër raste, në shkelje të fashës së orarit të qarkullimit gjatë kësaj fundjave.

Drejtori i Policisë Rrugore të Tiranës, Erjon Ahmetaj, gjatë një interviste televizive, theksoi se qytetarët e Tiranës janë sensibilizuar për zbatimin e aktit normative. Sipas tij, janë rreth 500 raste të konstatuara nga Policia Rrugore e Tiranës që janë kapur në kundërshtim me aktin normativ.

“Në realitet kemi një disiplinim. Gjatë kësaj fundjave, prej të shtunës në orën 13:00 deri sot në orën 05:00 ka pasur një disiplinim total në të gjitha akset rrugore brenda juridiksionit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ku janë rreth 3-4 raste të konstatuara nga ana e Policisë për moszbatimin e aktit normativ të fashës së orarit”, – tha Ahmetaj.

“Ka një sensibilizim total. Ajo që është problem është grumbullimi në orarin e paradites, por jashtë këtij orari, ka një sensibilizim. Të gjitha rastet e kapura në shkelje të aktit normativ, që prej daljes së aktit normativ të datës 16 mars, vetëm Drejtoria e Policisë së Tiranës, flas për pjesën e Policisë Rrugore ka rreth 500 konstatime të tilla, për të cilat është bërë tërheqja e lejes së drejtimit dhe njëkohësisht bllokimi i mjetit. Por, hap pas hapi janë duke u gjykuar në organet administrative, nëpër komisione se si do të procedohet në vazhdim”, – sqaron Ahmetaj.

“Jemi përkrah shërbimeve, të gjithë jemi në terren. Të gjithë shërbimet kanë marrë instruksionet e duhura në lidhje me komunikim me distancën dhe me ajo që është më e rëndësishme, dhe më e prekshme është komunikimi përmes kontrollit të dokumentacionit. Tashmë që prej shpalljes së pandemisë në vendin tonë, shërbimi i policisë komunikon jo nëpërmjet marrjes së dokumentacionit në duar, por nëpërmjet të paraqitjes nga drejtuesi i mjetit dhe më pas verifikimi bëhet nga Policia. Patjetër duke instruktuar, patjetër që duke pasur kujdes. Deri tani nuk kemi pasur probleme”, – tha Ahmetaj. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.