Lleshaj thirrje shqiptarëve: Mos e vizitoni Shqipërinë gjatë kësaj periudhe pandemie

TIRANË, 6 prill/ATSH- A. Fortuzi/ Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve në vendet e tjera që të mos e vizitojnë Shqipërinë gjatë kësaj periudhe pandemie.

Duke iu përgjigjur interesit të medieve lidhur me shqiptarët jashtë atdheut, Lleshaj tha nga Shkodra se, asnjë shqiptar jashtë vendit nuk lejohet të vijë në Shqipëri në këtë periudhë, ashtu sikundër nuk lejohet asnjë shkodran të shkojë në Tiranë, apo e kundërta.

“Ka shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Por në kushtet e masave të jashtëzakonshme sot ne ju bëjmë thirrjen e kundërt, në qoftë se normalisht i thërrasim të gjithë shqiptarët të vijnë në Shqipëri ta vizitojnë, sot i ftojmë të mos vijnë në Shqipëri, të mos ta vizitojnë, sepse i bëjnë dëm vetes dhe familjeve të tyre”, – tha Lleshaj.

“Kështu që kjo mbetet e qartë për të gjithë qytetarët, ata që janë rezidentë në vendet e tjera nuk janë të lejuar për të ardhur në Shqipëri gjatë këtyre ditëve. Ashtu sikundër nuk lejohet asnjë shkodran që të shkojë në Tiranë, apo i Tiranës të shkojë në Korçë, e kështu me radhë”, – shtoi ministri i Brendshëm.

“Jemi në kushte të jashtëzakonshme, duhet të sillemi në mënyrë të jashtëzakonshme, duhet të stakojmë të gjithë forcat, energjitë, mendjen për ta përballuar këtë situatë”, – nënvizoi Lleshaj. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.