Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, shqyrton pr/ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, nën drejtimin e kryetarit Niko Peleshi dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, në mbledhjen e realizuar nëpërmjet sistemit online, vijoi shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për sektorin e energjisë elektrike’, të ndryshuar”.
Të ftuar në mbledhjen e Komisionit ishin përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, zëvendësministri Ilir Bejtja dhe Gjergj Simaku.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit, deputeti socialist Ilir Beqaj prezantoi propozimet e tij për disa ndryshime në projektligj, lidhur me pronësinë e kabinave të reja elektrike, të cilat do të ndërtohen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Komisioni u njoh edhe me mendimet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë lidhur me propozimet e deputetit Beqaj dhe në përfundim të diskutimeve, vendosi që miratimi i tyre të bëhet në mbledhjen e ardhshme të Komisionit. e.xh//a.a//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.