FOKUS – Eurogrupi: Kompromis për paketën e masave të BE-së për ndikimin ekonomik të COVID-19

BRUKSEL, 6 prill /ATSH-ANA/ – Eurogrupi, që do të zhvillojë nesër një videokonferencë, do të kërkojë kompromis për paketën europiane të masave për të adresuar ndikimin e madh ekonomik të koronavirusit.

Pas refuzimit të Gjermanisë dhe Holandës lidhur me propozimin e nëntë vendeve të eurozonës, përfshirë Greqinë, për përdorimin e koronabondeve, Eurogroup do të kërkojë një kompromis, pavarësisht rritjes së fondeve të BE-së nga institucionet ekzistuese, Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM), Komisioni Europian dhe Banka Europiane e Investimeve (EIB).

Komisioni Europian njoftoi propozimin e tij për emetimin e bonove prej 100 miliardë eurosh si hua ndaj vendeve, në varësi të shtrirjes së krizës me të cilën do të përballen, në mënyrë që të mbështesin të ardhurat e punëtorëve të prekur nga kriza, si dhe të ardhurat e personave të vetëpunësuar.

Banka Europiane e Investimeve ka propozuar një rritje prej 40 miliardë eurosh në kreditë me interes të ulët për të mbështetur kompanitë.

Ajo gjithashtu propozoi krijimin e një fondi paneuropian garancie për të siguruar 200 miliardë euro fonde shtesë për bizneset e eurozonës.

Mekanizmi Europian i Stabilitetit ka propozuar dhënien e linjave të kredisë paraprake për shtetet anëtare, me një shumë fillestare prej 2% të PBB-së së tyre, duke përdorur një pjesë të 410 miliardë eurove që merr nga bonot. / /sara/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.