Familjet e prekura nga tërmeti në çadra, furnizim të rregullt me ushqime e medikamente

TIRANË, 6 prill/ATSH- A. Fortuzi/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimi me qytetarët, gjatë ditës së hënë nënvizoi se askush nuk do jetë vetëm në këtë betejë, veçanërisht familjet që janë në çadra, duke iu referuar familjeve të prekura nga tërmeti i nëntorit të shkuar.

“Ndihma ekonomike është shpërndarë. Familjet me ndihmë ekonomike kanë përfituar dyfishin e të ardhurave që merrnin më herët. Nga ana tjetër, ne po riorganizohemi për të targetuar siç duhet familjet me ndihmë ekonomike. Ritargetim për ndihmën ushqimore, sipas kushteve specifike të familjeve, numrit të anëtarëve… etj.”, – tha Rama.

“Nuk do të lëmë për asnjë moment vetëm ata që janë në çadra. Kjo kategori do të furnizohet rregullisht nga ne, ashtu si edhe ata që janë realisht në nevojë. Por kur them në nevojë, duhet të pranojmë se jemi të gjithë në nevojë dhe është edhe qeveria shqiptare në nevojë, për të përballuar dallgët e mëdha që ka sjellë kjo luftë. Dallgë që kanë tronditur dhe shtëpinë tonë të përbashkët, por ne do ta përballojmë me forcën dhe me krenarinë e të qenit shqiptarë këtë betejë”, – tha Rama. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.