Aktivitet i ndaluar/ Hapja e lokaleve do të dënohet me heqje lirie

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria po mendon të zgjerojë fashën e orarit të vënë në dispozicion për lëvizje, nga 60 minuta në 90 minuta.

Në bashkëbisedimin me qytetarët, Rama u shpreh se zgjerimi i fashës së orarit bëhet vetëm për qytetarët që respektojnë rregullat. Sa i përket lokaleve që nuk respektojnë rregullat, do të përshkallëzohen masat, deri në konfiskim pasurie.

“Do ta hapim pak orarin e lëvizjes për të bërë pazarin në 90 minuta dhe hyrja me automjete private do të jetë e mundur, por sigurisht me sanksione të forta: heqje të lejes së drejtimit për disa vite, konfiskim i makinës po aq vite dhe heqje lirie. Kemi parë fenomenin e shëmtuar dhe të neveritshëm të hapjes së lokaleve nëpër lagje, për trimat e lagjes që nuk rrinë dot pa pirë kafe. Kemi vënë gjoba, kemi mbyllur aktivitetin. Vazhdon historia. Janë shumë shumë pak raste në krahasim me numrin e jashtëzakonshëm të lokaleve që janë mbyllur dhe që respektojnë rregullat, por janë mjaftueshëm për ta na bërë një dëm shumë të madh. Prandaj hapja e këtij aktiviteti të ndaluar do të dënohet me heqje lirie, me heqjen e drejtimit të mjetit për disa vite, me sekuestrim të automjetit në përdorim dhe konfiskimit të gjithçkaje që ka brenda lokali”, – tha Rama.

Më tej, ai theksoi se do të mbyllet çdo mundësi për të mos u prekur nga virusi.

“Nuk ka rrugë tjetër, sepse masat që të lehtësohen duhen bërë pak nga pak për 99% të njerëzve që janë sot në llogore, që respektojnë rregullat, që sakrifikojnë, që mbajnë fëmijët brenda prej aq shumë ditësh, që kujdesen për të moshuarit, që orët e lëvizjes i përdorin për të shkuar edhe tek prindërit për t’iu dhënë edhe atyre shërbimin që kërkojnë, për të shkuar në punë, për t’u kthyer nga puna, për këta bëhen masa. Për të mos lejuar që të hiqen më shumë njerëz nga puna duke u dhënë mundësi aktivitetit që të vazhdojë etj etj. Nuk bëhen për këta që hapin lokalet. Këta nuk duhet të marrin mesazhin e gabuar që këtu u hap loja, këtu loja do të mbyllet përfundimisht më shpejt. Do t’ia mbyllin vetes derën nga mbrapa të institucionit të rehabilitimit shoqëror, jo të shtëpisë”, – tha Rama. z.tosku/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.