Ndarja nga jeta e mjeshtrit të humorit, Meta: Gëzim Kruja, një prej figurave më të dashura të artit shqiptar

TIRANË, 5 prill/ATSH/  -Presidenti i Republikës, Ilir Meta e ka cilësuar si një lajm trishtues ndarjen nga jeta të Mjeshtrit të Madh të skenës dhe humorit, Gëzim Kruja.

“Ndarja nga jeta e Mjeshtrit të Madh të skenës dhe humorit, Gëzim Kruja është një lajm trishtues”, ka thënë Meta.

Meta është shprehur se, “me talentin e spikatur, Gëzim Kruja do të mbahet mend si një prej figurave më të dashura të artit shqiptar, që falë personazheve karakteristike të interpretuara mjeshtërisht u duartrokit nga shumë breza, duke lënë pas një trashëgimi të vyer artistike”.

“I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kruja, të afërmve, të gjithë artdashësve dhe qytetarëve të mrekullueshëm të Shkodrës, për këtë humbje të pazëvendësueshme”, ka theksuar Meta.

Mjeshtri i humorit shkodran Gëzim Kruja u nda nga jeta sot në moshën 80-vjeçare.

Humoristi shkodran lindi në 4 dhjetor 1939. Gëzim Kruja karrierën humoristike e nisi që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me estradën amatore nisën që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdoi aktivizimin në vitin 1960 me estradën profesioniste të Shkodrës. Gëzim Kruja mbaroi në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër.

Ai kaloi një jetë në skenën shkodrane të humorit, ku spikati me rolet e tij të shumta. Gëzim Kruja shkroi 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor, ndërsa interpretoi mbi një mijë role në skeçe të ndryshme në 52 vite. Në vitin 2004 mori titullin “Krenaria e Qytetit”, ndërsa një vit më pas “Naim Frashëri i Artë” dhe në 2010 “Mjeshtër i Madh”.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.