Masakra e Rrezallës/ Thaçi: Kosova kurrë nuk do ta harrojë gjakun e martirëve të lirisë

PRISHTINË, 5 prill /ATSH/ Sot shënohet 21-vjetori i masakrës së Rrezallës në Skënderaj, ku ushtria dhe policia serbe ekzekutoi 98 shqiptarë, banorë të Rrezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 rezultojnë të zhdukur.

Një pjesë e trupave u gjenden në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve. Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj.

Nga masakra e Rrezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë.

Edhe presidenti Hashim Thaçi e përkujton sot këtë ngjarje duke e cilësuar si “një ndër masakrat e rënda, të kryera nga policia dhe ushtria serbe kundër popullatës shqiptare në prill 1999, ishte ajo e Rrezallës. Edhe në këtë masakër tipike të shtetit serb ndaj popullatës civile të paarmatosur pësuan kryesisht burrat, duke treguar natyrën e qartë të krimeve masive kundër njerëzimit, për të cilat nuk u vu para drejtësisë askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit e tyre.

Plaçkitjet, djegiet, dhunimet, vrasjet, masakrat dhe dëbimet masive ishim forma të hapura të gjenocidit të shteti serb, projekt që u zbatua anembanë Kosovës në vitet 1998-1999”.

“Kosova kurrë nuk do ta harrojë gjakun e martirëve të lirisë”, shprehet Thaçi.

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.