KOMENT – Italia skicon planin e rimëkëmbjes nga pandemia

ROMË, 5 prill /ATSH-DPA/ – Qeveria italiane është duke përgatitur një plan pesë pikësh për rihapjen e kontrolluar të vendit, ndërsa zvogëlohet epidemia e koronavirusit, deklaroi sot ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

Italia është përballur me shpërthimin më serioz të pandemisë në Europë, por ngjitja po ngadalësohet dhe te popullata dhe te biznesi ka shenja të padurimit dhe lodhjes nga  bllokimi.

Duke folur për gazetën ”La Repubblica”, Speranza tha se qeveria do të ruajë rregulla të distancimit shoqëror, do të zhvillojë mjete për mjekësisë e ashtuquajtur shtëpiake për të trajtuar më shumë njerëz jashtë spitaleve si edhe testime në masë.

”Testimi i miliona njerëzve duhet të zbulojë se sa italianë janë infektuar, nëse janë imunë dhe sa dhe në cilat zona mund të kthehet jetesa normale”, tha ministri.

Ai gjithashtu foli për hapjen e spitaleve më të specializuar për COVID-19 dhe zhvillimin e një aplikacioni për të gjurmuar të infektuarit dhe për t’u dhënë atyre qasje në distancë në kujdesin mjekësor.

“Nuk do të ketë asnjë ditë të vetme në të cilën ne do të themi se alarmi ka mbaruar. Do të ishte e papërgjegjshme të premtojmë një datë për një kthim në normalitet”, theksoi ai.

Duke i bërë jehonë paralajmërimeve të ekspertëve se urgjenca do të përfundonte plotësisht vetëm kur të zbulohej një vaksinë, ministri foli për krijimin e “kushteve për një bashkëjetesë me këtë virus”.

Italia ka qenë nën bllokim që nga 10 marsi.

Kufizimet skadojnë më 13 prill dhe sipas raporteve të shtypit, një numër i kufizuar i industrive mund të lejohet të rihapen pas kësaj date.

Dje, për herë të parë në nëntë ditë ra nga 700 numri i viktimave, ato ishin 671./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.