Kryetarët e 11 komunave, koordimin për mobilizimin kundër COVID-19

PRISHTINE, 4 prill /ATSH/ -Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në bashkëpunim me Agjencionin për Zhvillim Rajonal – Lindje, pati sot në një takim pune dhe mobilizimi kundër virusit COVID-19, të gjithë kryetarët e 11 komunave të këtij regjioni.

Kryetari Haziri u shpreh pas këtij takimi se janë mbledhur për të mbuluar në mënyrën më të mirë regjionin e gjerë të vijës më të gjatë kufitare me dy shtete.

“Shembull i mirë se si duhet të koordinohen punët ndërmjet komunave dhe qytetarëve tonë në mënyrë ndërmjet komunave dhe qytetarëve tanë në mënyrë që ta parandalojmë. Ne përfaqësojmë gjysmën e territorit të zonës kufitare të Kosovës, që kufiri i Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë përfshinë pjesën më të madhe të këtyre komunave që janë këtu. Po mundohemi që në kuadër të këtij bashkëpunimi të parandalojmë dhe të mos lejuar shpërndarjen dhe prekjen e qytetarëve tanë nga virusi Covid-19, i cili edhe më tej është i pa njohur dhe lufta me të panjohurën është lufta më e vështirë”, tha kryetari Haziri.

Ai falënderoi kryetarët e komunave për bashkëpunimin dhe përkushtimin që kanë dhe të gjithë zyrtarët e shtetit nga të gjitha nivelet, që kjo gjendje të tejkalohet me angazhim maksimal dhe me sa më pak raste të prekura.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se kjo pandemi nuk njeh kufij shtetëror e global, por në këto raste kërkohet një bashkëpunim dhe mbështetje më e madhe nga niveli qendror.

“Sigurisht është i domosdoshëm bashkëpunimi, mbështetja dhe solidariteti dhe sot ishte kjo që e konfirmuam me kryetarin Haziri dhe të gjithë kryetarët e regjionit lindje që të mbështesim njëri tjetrin ashtu siç kemi treguar mbështetje gjatë këtyre ditëve që i kaluam. Sigurisht që ditët në vijim janë ditë sfiduese dhe kërkojnë shtimin e këtij solidariteti dhe ne si bartës të këtij organizimi sigurisht që do të mbështesim komunat që më shumë janë në nevojë për t’u mbështetur. Komuna e Ferizajt dhe komuna e Gjilanit janë komuna më të mëdha dhe i kanë mundësit më të mëdha dhe ne do t’i mbështesim komunat që jenë pjesë e gjithë këtij regjioni“, tha ai.

Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës, tha se janë dyshuar një numër i madh i qytetarëve të prekur me këtë virus, mirëpo gjendja është nën kontroll dhe angazhimi i përbashkët e bën më të lehtë ballafaqimin me këtë pandemi sfiduese për të gjithë ne.

Në fjalën e tij, kryetari i Novobërdës, Sfetisllav Ivanovic, tha se koordinimi në nivel regjioni e bën më të lehtë ballafaqimin me këtë virus për komunat që janë të vogla.

Duke i’u drejtuar mediave, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se gjendja në këtë Komunë tani është e stabilizuar, edhe pse një kohë e gjatë është duke kaluar në karantinë, por me një përkushtim të madh në monitorimin e rasteve, parandalimin, mbështetjen e rasteve në nevojë.

Ata po ashtu kanë kërkuar një angazhim edhe më të madh të nivelit qendror në këtë rrafsh që të ketë një lehtësi më të madhe në përballimin e kësaj situate.

Në fund, deklarata e përbashkët nga ky takim ka përmbledhur kërkesat siç janë: përfshirja në pakon fiskale për kategorinë e zjarrfikësve vullnetar, kompanive të pastrimit, shërbimet taksive për subvendionim, pastaj përfshirja e punëtorëve të ndërtimtarisë që nuk kanë kontrata pune në këtë pako të subvencioneve, furnizimin me materiale higjienike, sanitare dhe medikamente të jetë proporcional me madhësinë e komunave dhe me numrin e rasteve të infektuar dhe ndërtimi i një komunikimi aktiv e gjithpërfshirës me të gjitha komunat dhe nivelit qendror do të ndikonte në parandalimin më të lehtë të Covid 19.

“Jemi të bashkuar pa dallime për të luftuar me sukses këtë pandemi”, deklaruan kryetarët./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.