COVID-19/ Shërohet prof. Dhimitër Kraja, del nga spitali

TIRANË, 4 prill/ATSH/ Profesor Dhimitër Kraja, i rikthyer në shërbim pas 48 viteve punë në spitalin Infektiv për të ndihmuar kolegët në kurimin e pacientëve të infektuar me COVID-19, pasi rezultoi pozitiv me koronavirus sapo ka dalë i shëruar nga spitali.

Kryeministri Edi Rama tha sot se “lajm i mirë nga spitali infektiv: sapo ka dalë i shëruar prof. Dhimitër Kraja, i cili si pensionist iu përgjigj i pari apelit për t’u angazhuar në vijën e zjarrit, ku u plagos nga armiku. Jetë të gjatë Profesor”.

Edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ushpreh se “lajm i mirë. Sapo ka dalë nga spitali Infektiv i shëruar prof. Dhimitër Kraja”.

Profesor Kraja iu përgjigj i pari thirrjes për t’u rikthyer në shërbim, për të ndihmuar kolegët në kurimin e pacientëve të infektuar me COVID-19.

Prof. Dhimitër Kraja ka qenë shef i Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUT, pedagog i lëndës së Sëmundjeve Infektive në Fakultetin e Mjekësisë dhe koordinator i Shërbimit të Infektologjisë, Dermatologjisë dhe Sëmundjeve Profesionale të Fakultetit të Mjekësisë, UM Tiranë.

Ai është autor dhe bashkautor i 12 teksteve mjekësore, mbi 200 artikujve/posterave në tubime dhe përmbledhje abstraktesh në aktivitete shkencore botuar në revista ndërkombëtare si dhe mbi 200 punimeve në aktivitetet kombëtare.

Prof. Dhimitër Kraja ka nisur punën si mjek klinicist në Spitalin Infektiv në vitin 1972. Ai është specializuar në Gastrohepatologji (1972- 1973) dhe në Epidemiologji dhe Sëmundje Infektive (1972-1974); Sëmundjet infektive Tropikale, Mykotike, Parazitare dhe AIDS në Qendrën Spitalore Pitie-Salpetriere, (Paris 1988), Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme dhe Kolposkopi në Poliklinikën Universitare Umberto I (Romë 1995), Infektologji dhe AIDS në Institutin Kombëtar të Sëmundjeve Infektive L. Spallanzani, Romë./k.s/ /*r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.