KOMENT – Roth: Gjermania po shqyrton sanksione kundër Hungarisë

BERLIN, 3 prill /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Shtetit për Çështjet Europiane, Michael Roth ka ngritur mundësinë e sanksioneve financiare kundër Hungarisë, si kundërpërgjigje ndaj masave autonome antikoronavirus, të paraqitura nga kryeministri konservator-nacionalist hungarez, Viktor Orban.

“Ne nuk mund t’i shpjegojmë popullit tonë se si mund të ketë vende që financojnë një pjesë të madhe të investimeve të tyre publike me paratë e Bashkimit Europian dhe pastaj ato të shkelin parimet e Bashkimit Europian”, i tha Michael Roth gazetës gjermane ”Die Welt”.

‘Bisedimet e vazhdueshme për buxhetin e BE duhet të jenë një mundësi për të konsideruar ndryshimin e rregullave të bllokut në mënyrë që sanksionet financiare të mund të merren vesh nga shumica”, theksoi Roth.

Të hënën, parlamenti hungarez, i mbizotëruar nga partia ”Fidesz” e kryeministrit Orban, i dha qeverisë autoritete të zgjeruara për t’u marrë me krizën e koronavirusit.

Ligji, i miratuar pa një datë skadence, i lejon Orbanit të qeverisë me dekret, në disa raste edhe pa mbikëqyrjen e parlamentit.

Kjo shkaktoi kritika të ashpra nga BE-ja, edhe duke pasur parasysh se Orban është konfliktuar shpesh me partnerët evropianë mbi politikat e tij autoritare gjatë mandatit 10-vjeçar në pushtet.

Brukseli dhe Budapesti kanë qenë prej kohësh në mospërputhje për një sërë reformash që përqendrojnë pushtetin rreth Orbanit, të cilët zyrtarët e BE i konsiderojnë si shkelës të parimeve themelore të BE-së.

Dje, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se hapat e urgjencës gjatë epidemisë janë të kuptueshme, por shprehu shqetësim “se masa të caktuara shkojnë shumë larg. Dhe unë jam veçanërisht i shqetësuar me situatën në Hungari”.

Po dje, 13 anëtarë të Partive Popullore Europiane i kërkuan presidentit të grupit, Donald Tusk, të heqë ”Fidesz” nga aleanca dhe bënë thirrje që vendet e BE të ndërmarrin veprime kundër Hungarisë.

Në një intervistë për radion kombëtar, Orban u tall me kritikat ndaj tij.

“Me çfarë po merret vetë Brukseli? Me ne?”, i tha ai radios kombëtare.

“Ata duhet të punojnë për të shpëtuar jetën e njerëzve, kjo është urgjenca”, shtoi ai.

Orban dhe zyrtarët e qeverisë së tij kanë hedhur poshtë në mënyrë rutinore kundërshtimet dhe kritikat nga Bashkimi Europian për një sërë çështjesh, që nga sundimi i ligjit deri në migracionin dhe politikat e azilit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.