Fondi i garancisë për pagat e punonjësve/ Bankat tregtare në mbështetje të biznesit

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Bankat tregtare në vend kanë konfirmuar se do të përdorin dhe do të vënë në funksion, fondin e garancisë prej 100 milionë USD si kolateral në mbështetje të biznesit për pagat e punonjësve në kushtet e masave kundër COVID-19.

Banka e Shqipërisë bën të ditur, se në situatën e emergjencës që po kalon vendi të gjitha bankat kanë treguar gatishmëri dhe bashkëpunim në përballimin e kësaj situate.

Sipas BSH-së, fondi i garancisë së ofruar nga qeveria shqiptare, për të mbështetur me kredi nga ana e bankave ato kompani që janë në vështirësi për të kryer pagesat mujore të punonjësve të tyre, është diskutua me aktorët e linjës, për ta shfrytëzuar atë sa më tepër, me një qasje sa më pozitive, fleksible dhe proaktive nga ana e sektorit bankar.

Qëllimi është që të sigurohet përfitimi i sa më shumë njerëzve, duke qenë se kredia e akorduar për këtë qëllim konsiderohet praktikisht me rrezik 0, si rrjedhojë e garantimit nga sovrani, njofton Banka e Shqipërisë. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.