COVID-19/ AKU gjobit dy furra buke në Tiranë dhe Fier për mosrespektim të masave

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Gjatë ditës së sotme trupat inspektuese të drejtorive rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë qenë në terren duke kontrolluar subjektet ushqimore për garantimin e masave të sigurisë si edhe kanë kryer monitorime dhe këshillime në kuadër të masave të shtuara për mospërhapjen e COVID-19.
Sipas AKU-së janë kryer 68 monitorime dhe kontrolle zyrtare dhe për shkeljet e evidentuara ka marrë 2 masa administrative me “gjobë” në dy furra buke në Tiranë dhe Fier për mosrespektim të aktit normativ, për ndalimin e prerjes së bukës, në vlerën e 100 mijë lekëve.
“Në pjesën më të madhe të kontrolleve në të gjithë territorin janë vërejtur se subjektet plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, disponojnë dokumentacionin e duhur për sigurinë ushqimore, kanë pajisur personelin me masat mbrojtëse ndaj COVID-19 (maska, doreza, dhe dezinfektantë)”, njofton AKU-ja.
AKU do të vijojë kontrollet dhe nuk do të tolerojë asnjë tentativë abuzimi si dhe do të bashkëpunojë me këdo që zbaton ligjin dhe masat e mara në mbrojtje të shëndetit të të gjithëve. Së bashku do ia dalim! – njofton AKU.
e.xh/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.