Alibeaj: Qeveria nuk ka bërë transparencë me tenderin e ushqimeve

TIRANË, 3 prill/ATSH- A. Fortuzi/- Ish-Deputeti i Partisë Demokratike, Enkeled Alibeaj , përmes një deklarate për mediat, ka nënvizuar se sipas Partisë Demokratike, qeveria nuk ka bërë transparencë me tenderin e ushqimeve.

“Edi Rama refuzon të japë llogari për tenderin e paracaktuar të ushqimeve. Prej 4 ditësh prej Kryeministrit dhe ministres së tij të Mbrojtjes pritet një shpjegim pse për këtë tender zgjodhi një kompani kompjuterash pa asnjë ditë eksperiencë me ushqimet. Kompania maqedonase e shtoi tregtinë e ushqimeve si aktivitet të saj vetëm 6 ditë para se Edi Rama dhe Olta Xhaçka të shpallnin tenderin me urgjencë. Edi Rama nuk u përgjigj as mbrëmë, kur u pyet drejtpërsëdrejti për pikën më të dobët të tenderit”,- thekson Alibeaj.

Sipas tij, Kryeministri dhe ministrja e Mbrojtjes duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve shumë të thjeshta: “Pse zgjodhën për t’i dhënë miliona një kompanie kompjuterash nga Maqedonia dhe pse përjashtuan 35 mijë kompani shqiptare, që plotësojnë kriteret e tenderit për ushqimin? Nga e dinte Olta Xhaçka që kompania e kompjuterave nga Maqedonia ishte kthyer papritur dhe në tregtuese ushqimesh vetëm 6 ditë para shpalljes së tenderit? Edi Rama duhet t’u thotë shqiptarëve që e kanë bosh frigoriferin dhe dollapin e bukës pse duhet të priste 3 javë për të bërë tenderin me negocim për ushqimet e rezervave të shtetit? Edi Rama duhet të bëjë transparencë dhe të japë përgjigje pyetjeve për tenderin 1.5 milionë eurove të ushqimeve”,- nënvizon Alibeaj. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.